Përballja me Sopotin, Resuli tregon planin e ngjitjes së Flamutarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2021 | 9:40

Përballja me Sopotin, Resuli tregon planin e ngjitjes së Flamutarit

Dritan Resulin e bind ky Flamurtar. Në prononcimin për “Panorama Sport”, trajneri deklaroi se do të mundin edhe Sopotin të dielën në orën 13:30 në Vlorë. Ai foli edhe për terrenet problematike në Kategorinë e Dytë.

RESULI

“Normalisht jam i kënaqur me performacën e grupit, sidomos nga ndeshja e vështirë në Gjirokastër, duke ju referuar një terreni ku vetëm për futboll nuk flitej. Ekipi tregoi forcë të madhe karakteri. Kjo na jep besimin e plotë në grup dhe na e lehtëson punën për ndeshjen e radhës, sepse terreni ynë është shumë i mirë dhe i plotëson kushtet për zhvillimin e aktivitetit. Normalisht që na lejon që ekipi të shprehet siç duhet.

Nuk më intereson emri i kundërshtarit që kam përballë, përveç arritjes së objektivit me performancën që do të shfaqim. Edhe në këtë ndeshje ndaj Sopotit do të punojmë për të marrë maksimumin. Jam shumë i bindur që do t’ia arrijmë qëllimit. Normalisht është një kundërshtar i pozicionuar në vendin e katërt.

Aty nuk është rastësisht, pasi ka vlerat e veta, por kjo i përket vetëm pjesës së asaj ndeshjeje që do të zhvillojmë, jo anës si ne e përgatisim apo si duhet interpretuar”, ka thënë fillimisht Resuli, për të folur më pas për fushat e vështira.

“Terrenet janë një nga problematikat kryesore, por interpretimi që ne kërkojmë dhe bëjmë, është që i marrim një nga një ndeshjet. Në këto ndeshje duhet të marrim tri pikët, nëse duam të arrijmë objektivin”. I pyetur për premiot e akorduara nga Idrizi, trajneri Resuli thotë se më të rëndësishme janë pikët.

“Presidenti është duke na qëndruar afër. Është duke bërë më të mirën për grupin, duke na plotësuar çdo kusht. Për ne si skuadër nuk është thelbësore pjesa e premios, por objektivi për maksimumin e pikëve.

Ne e dimë që e kemi këtë mbështetje dhe do ta shpërblejmë me performancë. Flamurtarin do ta çojmë ku e ka vendin. Po mendojmë ta mbyllim shumë më herët ngjitjen në të Parën. Shumë shpejt ekipi do të jetë aty ku të gjithë e duam”, përfundoi trajneri që drejton vlonjatët në Kategorinë e Dytë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"