“Përballja me Ramosin në Champions, e veçantë”, Kros: Më të mirët i duam te Reali, presim Mbapenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 12:57

“Përballja me Ramosin në Champions, e veçantë”, Kros: Më të mirët i duam te Reali, presim Mbapenë

Mesfushori i Realit të Madridit, Toni Kros, ka dhënë një intervistë për televizionin spanjoll “TVE” duke bërë një bilanc të punës dhe rezultateve të deritanishme të madrilenëve. Reali e ka nisur vitin me trofe ku arriti të siguronte Superkupën e Spanjës. Ndërkohë që është në garë në të gjitha frontet. “Los Blancos” kryesojnë kampionatin spanjoll me katër pikë më shumë se Sevilja, teksa kanë siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Mbretit si dhe një vend në 1/8- at e finaleve në Ligën e Kampioneve. Pra, madrilenët janë në garë në të gjithë frontet. Në intervistën e tij, Kros ka folur dhe për Barcelonën si dhe duelin e Realit në Ligën e Kampioneve përballë Paris SG-së.

kros

Si e parashikoni përballjen me PSG-në e Ramosit në Champions?

E kam thënë dhe më parë se do të jetë një përballje e fortë. Është shumë e rëndësishme që të arrijmë në formën e duhur në këto përballje. Pastaj fusha do ta tregojë se kush është më i miri. Sa për përballjen me Ramosin do të jetë diçka e veçantë. Për ne ai ka qenë një shok edhe më shumë, ka qenë një kapiten. Do të jetë pak e çuditshme të jemi përballë në fushë, sepse ishim mësuar të ishim në të njëjtën anë.

Flitet gjithnjë e më shumë për afrimin e Mbapesë te Reali. Cili është komenti juaj?

Mbape është një lojtar i kalibrit botëror dhe ne te Reali jemi mësuar me lojtarë të tillë. Më të mirët ne i duam në Madrid dhe Mbape është një prej tyre.

Një nga pengesat e Realit duket kalendari tepër i ngjeshur…

Të diskutosh për temën e kalendarit duhet shumë kohë, sepse është tepër e ndërlikuar. Por duket ta harrojmë atë, dukhet të mendojmë për ndeshjet e fushës, sepse në këto takime luajmë sezonin.

Një mendim për Barcelonën…

E vërteta është se nuk kam shumë kohë të shoh ndeshjet e Barcelonës.

Kontrata juaj me Realin skadon pas një viti. Çfarë do të bëni, do ta mbyllni në Madrid?

Unë e kam thënë gjithnjë se jam i lumtur në Madrid. Madje, jo vetëm unë, por edhe familja ime. Ideja ime dhe ajo e klubit është që unë ta mbyll në Madrid.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"