Përballja me Pogradecin, flet Plori: S’jam trajner frikacak, kundërshtarin e njoh dhe e respektoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2020 | 21:08

Përballja me Pogradecin, flet Plori: S’jam trajner frikacak, kundërshtarin e njoh dhe e respektoj

Besëlidhja duhet të kalojë disa penge sa të vështira që të shkojë në Superiore. E para është ajo e së mërkurës së ardhshme në stadiumin “Elbasan Arena” ndaj Pogradecit. Lezhjanët shpresojnë shumë të kalojnë së pari Pogradecin e më pas edhe sfidën me vendin e tetë të Superiores. Trajneri Elvis Plori beson tek objektivi madhor. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai rrëfen avantazhet dhe rreziqet me të cilat do të përballet në sfidat e “play off”-it, flet për kundërshtarin dhe gjendjen e skuadrës që drejton pak ditë para përplasjes me pogradecarët.Plori

Gjysmën e objektivit e arritët, a mendoni se i keni mundësitë për aty ku synoni duke e kaluar Pogradecin?

Të jem i sinqertë, objektiv kemi pasur ngjitjen direkt në Superiore, por përsëri jemi në atë rrugë. Të gjithë, që nga presidenti e deri te më i fundit i skuadrës, objektiv minimal kemi ndeshjen me skuadrën e Superiores, “play off”-in e madh, nëse mund ta quaj kështu.

Sa e njihni Pogradecin?

Pogradeci është një skuadër që ka qëndruar vazhdimisht në vendet e para dhe po e vlerësojmë maksimalisht. Që herët e kam ndjekur, pasi në Grupin B ishin 3 skuadra në luftë për vendin e parë e të dytë, Apolonia, Pogradeci dhe Lushnja. Pogradecit nuk mund t’i mohohen meritat, luan futboll të bukur dhe të pastër. E kam ndjekur në disa ndeshje, sidomos në këto të fundit dhe më ka bindur se mund të kalonte edhe direkt në Superiore. E vlerësojmë kundërshtarin dhe të gjithë po punojmë maksimalisht dhe me moral të lartë. E njoh trajnerin kundërshtar dhe filozofinë e tij, ndaj po mundohem ta përshtat skuadrën, që besoj se do të gabojë më pak.

Cilat janë avantazhet tuaja në raport me kundërshtarin?

Skuadra jonë mendoj se ka në përbërje futbollistë më me grintë. Ndoshta është mendim i gabuar, por them se kemi futbollistë më agresivë. Për mua, shanset janë 50 me 50. Këto ndeshje janë delikate, nuk ka një ndeshje të dytë për të rikuperuar, ndaj duhet menduar mirë taktika dhe duhen minimizuar gabimet.Beselidhja goli

Besëlidhja do të rreshtohet si në kampionat apo do të ndërroni taktikë?

Nuk jam trajner frikacak për të luajtur në mbrojtje. E përsëris, duhet shumë kujdes në këto ndeshje dhe në sulm duhet të jesh efikas.

Ka edhe shtesa e penallti në ndeshje të tilla, jeni përgatitur?

Besëlidhja ka skuadër të përgatitur nga të gjitha pikëpamjet, ndaj nuk e kam frikë, jam tepër i qetë për këtë pjesë.

A keni frikë nga gjykimi, që mund të ndikojë në rezultat?

Nuk besoj, pasi edhe për FSHF-në do të kishte ndikim negativ. Edhe për dy qytetet, Lezhën dhe Pogradecin, nuk do të ishte mirë, pasi kanë traditë në futboll. Besoj në një gjykim të drejtë. Në këtë ndeshje nuk është se merr fund gjithçka, është edhe një ndeshje tjetër, ndaj them se nuk do të bëhen faktor as federata dhe as gjyqtarët. Skuadra që do të shkojë në “play off”-in e madh do ta meritojë në fushë.

A janë ta gatshëm të gjithë titullarët?

Vetëm Ruqi nuk mund të jetë gati, ndërsa për Hajdarin kam shpresa. Nëse ky i fundit nuk ia del deri ditën e ndeshjes, e kemi menduar si do të luajmë në sulm.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"