Përballja me Pogradecin, Bizhdili ultimatum Besës: “Lufta” sapo ka filluar, dua sulm cinik dhe pres fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2020 | 10:40

Përballja me Pogradecin, Bizhdili ultimatum Besës: “Lufta” sapo ka filluar, dua sulm cinik dhe pres fitore

Nexhat Bizhdili pret kthesën e menjëhershme. Humbjen në Lushnjë nuk e ka kapërdirë aspak dhe kjo ka bërë që jo vetëm të largohet i dëshpëruar nga tribuna e “Roza Haxhiut”, por edhe të zbresë i nervozuar në dhomat e zhveshjes. Vetë presidenti nuk e mohon këtë fakt, madje në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” qartëson se është irrituar me rastet e shpërdoruara. “Kisha besim e bindje se në Lushnjë do të dilnim të fituar.

Bizhdili-2

Kjo bindje m’u përforcua veçmas pas paraqitjes së ekipit në 45 minutat e para, por tashmë rezultati dihet. Jo vetëm që nuk fituam, por ndëshkuam veten. Më nervozuan pa masë rastet e humbura në pjesën e parë. Nuk mund të fitosh duke shpërdoruar raste dhe Lushnja na dha sinjalin e parë e të qartë për këtë. Ajo ndeshje kaloi tani dhe nuk dua ta kthej kokën pas. ‘Lufta’ sapo ka filluar”, ka thënë numri një i klubit.

AUTOKRITIKA – Besa sot do të përballet me Pogradecin në stadiumin modest të Luzit, që do të jetë edhe shtëpia e re e verdhezinjve. Futbollistët do të hyjnë në fushë me të vetmin opsion, fitoren. “Vërtet që kemi Besën më të mirë të viteve të fundit, por forca e saj duhet treguar në fushë. Kemi humbur vetëm betejën e parë dhe nesër (sot) personalisht pres vetëm fitoren. Nuk e them këtë vetëm nga dëshira, por vërtet besoj shumë tek ekipi i këtij sezoni. Ajo që kërkohet, është të tregohet cinike e të mos falen rastet që krijohen.

Shkojmë shumë para porte dhe kjo është dëshmi e forcës, ambicies dhe nivelit të grupit. Por, të gjitha këto, që të marrin peshën që kanë, kërkojnë vetëm fitore. Si president i Besës, kërkoj që këto të shoqërohen me lojëra të bukura. Kemi sulmues mjaft të mirë si Kaina e Peqini, të cilët kanë treguar se dinë të shënojnë. Kemi shtatlartësi, teknikë, forcë, përvojë e të gjitha këto duhet të garantojnë jo një, por disa gola. Nesër (sot) pres që të marrim 3 pikët e para e më pas të vlerësojmë me radhë çdo ndeshje. Unë besoj fuqimisht se duke nisur nga kjo javë, Besa ime do të vijojë të marrë fitore si kusht e garanci për të qenë brenda objektivit tonë, Superiores”, përfundoi Bizhdili.

 FERIZ FERIZAJ -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"