Përballja me Partizanin B, trajneri i Besëlidhjes: Më mjafton një gjysmë goli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2021 | 10:17

Përballja me Partizanin B, trajneri i Besëlidhjes: Më mjafton një gjysmë goli

Besëlidhja ka arkivuar humbjen ndaj Vorës dhe sot do të zbresë në fushë për të bërë autokritikën. Luajnë në shtëpi dhe përballë Partizanit B, kundërshtar që në fazën e parë e mundën në shifrat 2-6. Megjithatë, trajnerit Sinan Bardhi nuk i intereson numri i golave, por vetëm 3 pikët. Këtë e thotë qartazi edhe për “Panorama Sport”, ndërsa saktëson se ka parë reagim te lojtarët.

Bardhi

“Sot (dje) mbyllëm përgatitjet për Partizanin B, një sfidë që e kemi vlerësuar maksimalisht. Si rrodhën ngjarjet, nuk na lejohen hapa falsë. Gjatë kohës që kishim në dispozicion kemi punuar intensivisht dhe me nerva të tendosur, për të riparuar defektet e vërejtura me Vorën. Përveç anës teknike e fizike, kemi punuar edhe në lidhje me disiplinën, pasi pikërisht kjo na çoi në humbjen ndaj vorakëve. Tashmë jemi gati për t’u përballur me kundërshtarin.

Në stërvitje pashë ekip më të organizuar, të mobilizuar e më kryesorja më i disiplinuar dhe kjo më ngroh. Për mua rëndësi kanë 3 pikët, për këtë bëhet edhe lufta sportive. Normalisht që edhe sasia e golave është në objektivat tanë, por në këtë moment mjafton edhe një gjysmë goli. Ne nuk tërhiqemi, pasi mundësitë reale të skuadrës dhe koha që kemi në dispozicion janë të mjaftueshme. Na duhet veç punë e vlerësim, që të ecim me hapa të sigurt përpara”, përfundoi tekniku kryeqytetas.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"