Përballja me Lushnjen, flet drejtori sportiv i Erzenit: Fitorja, objektivi ynë në “Roza Haxhiu”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2022 | 10:22

Përballja me Lushnjen, flet drejtori sportiv i Erzenit: Fitorja, objektivi ynë në “Roza Haxhiu”

Erzeni i Shijakut ka zhvilluar dy seancat e fundit stërvitore të javës, në kompleksin sportiv “Skënder Halili” në Tiranë dhe është i gatshëm për të zhvilluar një ndeshje dinjitoze në transfertë me Lushnjën. Sfida konsiderohet si një finale, sepse të besuarit e trajnerit Nevil Dede do të luftojnë fort për të marrë me meritë fitoren e radhës, si dhe për të qenë pretendentë për të synuar kreun. I pyetur për këtë ndeshje, drejtori sportiv i skuadrës së Erzenit, Fundim Dollaku, për “Panorama Sport” u shpreh:

DOLLAKU

“Janë katër ndeshjet e fundit të kampionatit për të vazhduar rrugën e suksesit, siç kemi bërë deri tani në realizimin e objektivit që kemi pasur nga fillimi i sezonit, ngjitjen në Kategorinë Superiore.

Duelin me Lushnjën e vlerësojmë maksimalisht, sepse kemi përpara një skuadër për t’u respektuar për nivelin që ka shfaqur gjatë këtij kampionati, pavarësisht pozicionit në renditje.

Mobilizimi i futbollistëve gjatë kësaj jave ka qenë në shkallën më të lartë të mundshme, duke respektuar të gjitha etapat e stërvitjes nga trajneri Nevil Dede.

Grupi i futbollistëve është i gatshëm, madje edhe Meta që ishte dëmtuar disa javë më parë, thuajse është në rikuperim e sipër.

Erzeni do të shoqërohet në këtë takim nga shumë tifozë, të cilët do të udhëtojnë nga Shijaku me makina personale, por edhe me një autobus për të inkurajuar skuadrën e tyre të zemrës. Objektivi ynë është fitorja, por provën e vërtetë për këtë do ta japë fusha e lojës në stadiumin ‘Roza Haxhiu'”.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"