Përballja me Lacion, Flik shmang krizën: Bajerni, me fytyrë tjetër në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2021 | 9:41

Përballja me Lacion, Flik shmang krizën: Bajerni, me fytyrë tjetër në Champions

Bajerni i Mynihut do të luajë sot ndeshjen e parë të fazës së 1/ 16-ave ndaj Lacios. Gjermanët vijnë nga humbja në kampionat ndaj Frankfurtit dhe kërkojnë që të bëjnë mirë në Europë duke mundur italianët të cilët vijnë nga një fitore me Sampdorian në kampionat dhe gëzojnë një formë shumë të mirë. Trajneri Hansi Flik vlerësoi në maksimum kundërshtarin duke thënë se dueli i sotëm në Romë nuk do të jetë një shëtitje për skuadrën e tij.

Flik

Do të ndikojë forma e dobët në kampionat edhe në Europë?

Nuk dua të kërkoj për justifikime, por mund të them që në formën tonë kanë ndikuar edhe dëmtimet e shumta. Ndaj Bilefeldit dhe Frankfurtit nuk kemi luajtur keq, edhe pse kemi marrë rezultate jo të mira. Por, Europa është një tjetër gjë, janë ndeshje të mëdha të cilat të motivojnë në maksimum. Skuadra është mirë nga ana psikologjike, e di se çfarë duhet të bëjë. Kam shumë besim se do të bëjmë një ndeshje të madhe në Romë.

Si është gjendja e Goreckës?

COVID nuk është diçka që duhet marrë lehtësisht. Ai do të luajë nesër (sot) nga minuta e parë. Shpresoj që të luajë njëlloj si ndaj Frankfurtit. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë.

Do të luajë Zyle?

Ai pësoi një goditje në këmbë, por do të fluturojë me ne, mund të jetë një alternativë për krahun e djathtë. Gjithsesi, nuk kemi vendosur ende nëse do të jetë pjesë e formacionit të parë apo jo.

Mund ta shohim Musialën nga minuta e parë?

Ai është një lojtar që është rritur shumë në ndeshjet e fundit. Është impenjuar shumë dhe sigurisht që ka shpenzuar edhe energji. Do të jetë një opsion për ndeshjen me Lacion.

Sa u trembeni italianëve?

Kemi të bëjmë me një skuadër e cila në vitet e fundit ka bërë një futboll të bukur dhe ka pasur rritje në lojë. I kam parë në duelet me Dortmundin dhe mund të them që na pret një ndeshje delikate. Kanë një sulm të frikshëm dhe për këtë duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Por, ne jemi Bajerni, kampionët në fuqi, dhe në Romë duam të luajmë si të tillë, jam i bindur që do të shohim një ndeshje spektakolare. Klose? Ai do të jetë një armë më shumë për ne ndaj tyre dhe jo vetëm. Miro e njeh mirë kundërshtarin pasi ka luajtur për shumë sezone në Romë, jam i sigurt që do të na tregojë ndonjë detaj të rëndësishëm për lacialët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"