Përballja me Egnatian, Mone karikon lushnjarët: I thyejmë kryesuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2021 | 9:44

Përballja me Egnatian, Mone karikon lushnjarët: I thyejmë kryesuesit

Lushnja-Egnatia është kryendeshja e javës së 11-të të Kategorisë së Parë për grupin B. Takimi është programuar të luhet të dielën në orën 13:30 në stadiumin “Roza Haxhiu”. Diferenca mes skuadrave është 5 pikë dhe një fitore e Lushnjës do ta bënte më të fortë garën për një biletë në Kategorinë Superiore. Skuadra e drejtuar nga Ilir Gjyla ka barazuar 1-1 në ndeshjen e fazës së parë ndaj rrrogzhinasve në stadiumin e Peqinit, duke treguar se është një rival i denjë për elitën. Lushnjarët do të zhvillojnë sot seancën e fundit stërvitore, për të qenë gati për përballjen me kryesuesit e grupit.

Egnatia-Lushnja

Në portë do të rikthehet Mikel Kaloshi, i cili ka kaluar një dëmtim të gjatë dhe mbrojtësi i krahut të djathtë Boni Valeri, pas skualifikimit njëjavor. I gatshëm duket edhe sulmuesi Orges Xeka pas disa shqetësimeve fizike që pati gjatë javës stërvitore. Trajneri Gjyla beson se këtë herë sulmuesit do të bëjnë diferencën ndaj një ekipi si Egnatia.

ARBËR MONE

Për “Panorama Sport” në lidhje me takimin me rrogozhinasit, kapiteni i Lushnjës, Arbër Mone, foli me optimizëm, duke theksuar se objektiv janë vetëm tri pikët. “Ekipi e ka vlerësuar ndeshjen. Jemi në një moment pozitiv dhe në gjendje për të marrë pikë në çdo takim. Këtë e tregojnë rezultatet. Natyrisht, ndeshja me Egnatian do të jetë shumë e fortë sepse është një kundërshtar që kryeson grupin dhe nuk njeh humbje. Edhe ekipi është përgatitur për të bërë më të mirën, pikërisht për t’u rikthyer te fitorja.

Do të luajmë në shtëpi dhe do të hyjmë në fushë vetëm për tri pikët”, është shprehur fillimisht lojtari fierak, i cili këtë vit mban edhe shiritin e kapitenit te verdhejeshilët. Ai tregoi se te Lushnja bëjnë llogari për të qenë sa më lart në renditje. “Si çdo pretendent, edhe ne bëjmë llogaritë tona. Lushnja do të kërkojë të mbledhë pikët që i duhen për t’u pozicionuar në katërshen e parë të klasifikimit. E rëndësishme është që të bëjmë një ndeshje të mirë dhe ta kërkojmë rezultatin përmes një loje po kaq të mirë. Shpresojmë ta kalojmë me sukses këtë sfidë”, përfundoi Mone, i cili është një nga futbollistët me më shumë eksperiencë te lagunarët.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"