Përballja me Besën, Magani: Prisni spektakël, Egnatia do të ngjitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2021 | 12:46

Përballja me Besën, Magani: Prisni spektakël, Egnatia do të ngjitet

Egnatia është gati për t’u përballur me fqinjët e Besës, ku pa dyshim synohet fitorja. Për t’u theksuar është se, fitoren e fundit Egnatia e ka arritur pikërisht ndaj kavajasve. Ndërkohë që humbja me Tomorin e ka zvogëluar me dy pikë diferencën me ndjekësit. Në javën e fundit, të besuarit e trajnerit Gugash Magani ishin pushim dhe kanë pasur më shumë kohë për t’u përgatitur për duelin me Besën.

Magani

Për t’u përshtatur më mirë me terrenin me bar natyral, seanca e djeshme është zhvilluar në një nga fushat e Peqinit. Të gjithë, drejtuesit dhe presidenca kanë gjetur mundësinë ta motivojë grupin e lojtarëve për ta vlerësuar siç duhet këtë duel që parashikohet të jetë “Fair Play”. Të Egnatia besojnë se trepikëshi në këtë duel do t’u japë mundësinë të jenë më të qetë në krye. Trajneri Magani thotë se, Besa është vlerësuar si një kundërshtare e fortë dhe kërkon përqendrim maksimal nga të tijtë. “Pas pushimit do ta nisim fazën e tretë në transfertë me Besën. Kalendari na ka rezervuar këtë sfidë të fortë ndaj verdhezinjve. Dy përballjet e para me kavajasit janë arkivuar dhe ne kemi të tjera synime.

Kam drejtuar kavajasit më parë si trajner dhe gëzoj respekt për klubin e tifozët atje. Periudha e kaluar në Kavajë zë vend të rëndësishëm në karrierën time. Tashmë drejtoj Egnatian e mendoj që së bashku me lojtarët, të arrijmë synimet që kemi. Gjatë javës jemi përgatitur në çdo aspekt për të bërë lojën tonë më të mirë. Ky 90-minutësh ka rëndësi maksimale dhe lojtarët duhet të jenë të përqendruar së tepërmi. Koha e pauzës pa aktivitet na dha mundësi të luajmë një miqësore e ta bashkërendisim me stërvitje. Të dyja klubet kanë objektiva në këtë kampionat dhe mendoj se do jetë ndeshje për ‘kartolinë’ dhe korrekte”, u shpreh trajneri Magani për “Panorama Sport”.

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"