Përballja e radhës, Tirana nuk njeh blof me fierakët prej dy dekadash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2017 | 15:42

Përballja e radhës, Tirana nuk njeh blof me fierakët prej dy dekadash

Rënia në Kategorinë e Parë ishte një “shok” psikologjik për të gjithë ambientin bardheblu. Një fakt i tillë rëndon dhe do të jetë një njollë në çdo ndeshje për klubin, si dhe për gjithkënd në skuadër, derisa të garantohet matematikisht ngjitja në elitën e futbollit shqiptar.

tirana - apolonia

Tirana, në Kategorinë e Parë e ka një terren të panjohur kurrë më parë në historinë e saj, mirëpo disa prej rivalëve në Grupin B i ka takuar në të shkuarën në elitën e futbollit vendës. E tillë është edhe Apolonia, e cila në afro dy dekada nuk ka asnjë fitore në kryeqytet.

STATISTIKAT

Skuadra e drejtuar nga Ndriçim Kashami vjen në kryeqytet për të luajtur të shtunën sfidën e vlefshme për javën e tetë të grupit B në Kategorinë e Parë. Mirëpo, për fierakët ka një tabu për të thyer. Apolonia nuk ka arritur asnjëherë që të marrë pikët e plota në përballjet me Tiranën në kryeqytet.

Në 16 ndeshje të zhvilluara në Tiranë, Apolonia ka arritur të marrë vetëm një pikë në ndeshjen e luajtur më 4 shkurt 2015 e vlefshme për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë. Në këto përballje, skuadra kryeqytetase ka në favor edhe golavarazhin. Në këto 16 përballje, Tirana ka shënuar 43 gola dhe pësuar vetëm 4.

KAMPIONATI

Në këtë edicion, Tirana numëron vetëm një humbje në shtatë sfidat e luajtura deri tani dhe kryeson renditjen e grupit B me 18 pikë, 3 më shumë sesa Bylis ndjekës që i shkaktoi disfatën e vetme. Bardheblutë kanë pësuar vetëm një gol dhe kanë shënuar 17 të tillë. Apolonia, e cila renditet në vendin e katërt me 11 pikë, po aq sa edhe Tomori, ka fituar tri përballje dhe numëron dy barazime e dy humbje. Edhe fierakët kanë një golavarazh pozitiv në total, sepse kanë shënuar 11 gola dhe ka pësuar tetë.

REVANSHI

Kjo mund të konsiderohet sfida e revanshit. Nga njëra anë, është skuadra e trajnerit Ze Maria, e cila do të kërkojë që të reagojë me çdo kusht pas disfatës së pësuar ndaj Bylisit. Ndaj Apolonisë, bardheblutë duhet të rikthehen bindës dhe të marrin rezultatin maksimal. Nga ana tjetër, në kërkim të revanshit është edhe Apolonia, e cila do të synojë fitoren e parë në kryeqytet përballë Tiranës.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"