“Përballen historitë! Me ‘dhimbje koke’ prej…”, Dinamo me dilema para Skënderbeut, Nevil Dede: Ndeshje vitrinë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2022 | 11:07

“Përballen historitë! Me ‘dhimbje koke’ prej…”, Dinamo me dilema para Skënderbeut, Nevil Dede: Ndeshje vitrinë!

Dinamo është gati për Skënderbeun. Edhe pse janë të vetëdijshëm për vështirësinë që i pret në transfertën e së dielës, në kampin blu e dinë se çfarë duan. Morali nuk mungon pas trepikëshit në start, ndonëse humori u është prishur disi nga gjendja e disa lojtarëve. E megjithatë, kryeqytetasit e kanë marrë shtuar. Në fund të fundit kanë një organikë të kompletuar dhe besojnë se edhe në Korçë do të marrin rezultat pozitiv. Nevil Dede në fakt pret maksimumin e pikëve dhe këtë e thotë hapur për “Panorama Sport”. Trajneri ka pritshmëri më të mëdha edhe për lojën, ndërsa pret performancë më të mirë se me Orikun.

DINAMO

“Ne do të shkojmë në Korçë për të dhënë maksimumin dhe për të marrë maksimumin. Do të mundohemi të performojmë më mirë se në ndeshjen e parë të kampionatit me Orikun dhe të marrim pikët maksimale.

Kemi punuar mirë gjatë javës, grupi është stërvitur mirë dhe sakrifikon sportivisht për të arritur më të mirën”, u shpreh fillimisht numri një i pankinës së 18 herë kampionëve të vendit.

NDESHJE VITRINË

Nevil Dede për një gjë është i bindur, që në stadiumin “Skënderbeu” do të jetë një ndeshje vitrinë për futbollin.

“Do të jetë një ndeshje vitrinë besoj. Shkojmë të luajmë në një fushë dhe në një stadium të mirë, në një qytet dhe në një popull të këndshëm.

Ne do të përpiqemi t’i kënaqim të pranishmit me futbollin që do të prodhojmë në fushë. Është ndeshje vitrinë, sepse janë dy ekipe që kanë bërë histori në futbollin shqiptar.

Dinamo ka historinë e saj që dihet, pavarësisht se vitet e fundit nuk ka qenë në elitë. Edhe Skënderbeu bëri historinë e tij, sidomos këto vitet e fundit.

Tani jemi në këtë situatë, rivalë për Superioren, dhe do të mundohemi të bëjmë një ndeshje të bukur”, thekson më tej 47-vjeçari, pa hyrë në detaje teknike e taktike të sfidës me korçarët.

MUNGESA DHE DILEMA

Përveç Prodanit, që do të mungojë gjatë, blutë kanë pasur edhe disa shqetësime të tjera në prag të javës së dytë. Ai që shqetëson më shumë trajnerin është Dikson Amos Idakvo. Titullari i mbrojtjes ka shfaqur probleme dhe është në dyshim për të dielën. Në gjendje optimale nuk është as Bardhi, i cili luajti si zëvendësues në start.

“Kemi pak dhimbje koke, sepse janë 3-4 lojtarë në gjendje jo të mirë, por këto situata duhen përballuar.

Prandaj Dinamo ka një kontingjent të plotë, që në momente të caktuara të kalojë edhe situata të tilla”, përfundon Dede. Blutë kanë zhvilluar dje stërvitjen e fundit në kryeqytet.

Sot, ata do të udhëtojnë drejt Pogradecit, ku do të akomodohen për një natë dhe do të zhvillojnë edhe seancën e fundit anti-Skënderbeu.

DIN (1)

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"