“Përballemi me një nga ekipet më të forta, duhet të luajmë mirë dhe marrim rezultat”, Gjyla: Na mungon vetëm goli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2021 | 9:43

“Përballemi me një nga ekipet më të forta, duhet të luajmë mirë dhe marrim rezultat”, Gjyla: Na mungon vetëm goli

Lushnja është elimin uar nga Kupa e Sh qipërisë dhe gjithë vëmendjen tashmë e ka drejtuar te kampionati. Verdhejeshilët do të ndeshen me Besën në fushën e Luzit, në një transfertë të vështirë. Të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë dhe kjo ia shton edhe më shumë rëndësinë këtij 90-minutëshi.

Ilir Gjyla Lushnja

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, trajneri Ilir Gjyla skanon kundërshtarin, që e ka drejtuar në periudha të ndryshme. Ai vlerëson kavajasit si ekipin më të mirë që mund të ketë kampionati, ndaj pret vigjilencë maksimale. Edhe pse prodhojnë lojë, skuadra ka një problem me golin. Trajneri pret që të korrigjohet shënjestra dhe qartazi e thotë që do të mjaftohej edhe me një pikë nga kjo transfertë.

“Kampionati ka hyrë në një fazë më interesante, ku të gjitha skuadrat duan pikë. Ashtu sikurse kemi çaluar e gabuar ne, ka ngjarë edhe me Besën. Unë mendoj se do të ndeshemi me një nga skuadrat më të mira të Kategorisë së Parë. Edhe pse pësoi disfatë në Burrel, nuk duhet nënvlerësuar. Mund t’i ndodhte kujtdo, madje edhe Lushnjës. Edhe pse humbja ka qenë e thellë, Besa është Besa. Këtë jam munduar t’ua them futbollistëve të mi edhe gjatë javës.

Pa diskutim që po luajmë me një nga skuadrat më të mira të kësaj gare dhe ne si të tillë do ta konsiderojmë. Jemi stërvitur fort dhe kapacitetin e kemi për të t’ia dalë në këtë transfertë. Unë e kam thënë edhe herë të tjera, problemi ynë është sulmi ose më saktë shënimi i golit. Kontrollojmë lojën gjithandej, por ndonjëherë duhet bërë diçka, pasi ndodh që të luash keq dhe të fitosh. Por ne nuk mund ta bëjmë dot këtë.

Kështu që, do të mundohemi të luajmë mirë, për të marrë rezultatin pozitiv nga një lojë e mirë”, u shpreh trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla. Për teknikun e njohur lushnjar do të jetë një përballje dy herë e veçantë. Jo vetëm si ish-trajner i Besës në katër periudha të ndryshme, por edhe se në pankinën e Besës është ulur ish-sulmuesi i njohur Dorian Bubeqi. Kavajasi ka qenë sulmues i Lushnjës në sezonet 2008-2009 dhe 2010-2011, kur verdhejeshilët drejtoheshin nga Ilir Gjyla.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"