“Për titullin do flasim në fund”, kapiteni i Kukësit: Kur luajmë në shtëpi bëhemi të frikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2021 | 11:45

“Për titullin do flasim në fund”, kapiteni i Kukësit: Kur luajmë në shtëpi bëhemi të frikshëm

Gjelbrim Taipi ësh të një ndër lojtarët më me eksperiencë të skuadrës së Kukësit, teksa këtë sezon ka edhe përgjegjësinë e madhe të jetë kapiten i këtij ekipi. Pika e marrë ndaj Vllaznisë bën që verilindorët t’i marrin pushimet në vendin e dytë dhe për mesfushorin kjo është diçka pozitive.

KUKESI EDI BASHA

Në prononcimin e dhënë për mediat pas ndeshjes me shkodranët, kapiteni u ndal te paraqitja e skuadrës së tij, ku u bënë disa ndeshje që pësojnë gol shpejt, por vlerëson grintën që ka skuadra për kthimin e rezultatit. Sipas tij, për titullin kampion do të flasin në fund të kampionatit, ndërsa ka edhe një thirrje për tifozët me rikthimin e tyre në Kukës.

Pavarësisht se morët një pikë, nuk ishte një nga ndeshjet më të mira të Kukësit. Çfarë nuk shkoi?
Normalisht ne e kishim përgatitur ndeshjen me stilin tonë të lojës, por është ndeshja e tretë që në minutat e para pësojmë gol dhe jemi në disavantazh. Kjo na e vështirëson më tepër punën, për arsye se nuk dalim dot te loja jonë për të cilën stërvitemi vazhdimisht dhe duhet të arrijmë sa më shpejt te porta e kundërshtarit për të barazuar.

Mendoj që kjo ishte arsyeja që në disa momente u penalizuam, duke parë se me nxitim donim barazimin dhe Vllaznia priste të na ndëshkonte me kundërsulme nga gabimet tona. Në këtë ndeshje, ndër futbollistët më të mirë ishte portieri ynë, Tafas, ku ishte edhe merita e tij që morëm këtë pikë.

Kukësi mori një pikë apo humbi dy?
Pyetje me vend. Ne ishim përgatitur për të marrë tri pikët, por duke ditur se Vllaznia ka një ekip shumë të mirë dhe këtu po të marrësh një pikë nuk është keq. Ndaj, nuk mund të thuhet se ke humbur dy, sepse luan ndaj një rivali direkt. Në dy ndeshjet ne i kemi marrë katër pikë dhe mendoj se jemi fitues.

Mendoni se elementët aktualë do të ruhen për të arritur synimet tuaja?
Unë e kam thënë edhe në shumë intervista të tjera se ndoshta Kukësin e kanë nënçmuar, duke parë se nuk kanë ardhur futbollistë me emër. Por, ne kemi krijuar një grup shumë të fortë dhe në tri ndeshje me ekipe shumë të forta kemi arritur të kthejmë rezultatin.

Mendoj se grupi do të ruhet dhe drejtuesit po punojnë që të sjellin në ekip ndonjë futbollist. Cilido që të vijë do të jetë i mirëseardhur dhe besoj se ky grup do të ruhet, ku jemi në rrugë të mbarë dhe mendoj se do të vazhdojmë kështu.

A jeni për kampion sivjet?
Është shumë herët të themi tani nëse Kukësi është për kampion ose jo. Ju e dini që në 10 vitet e fundit Kukësi ka pasur një ecuri fantastike, duke qëndruar në dy vendet e para. Do të shohim ndeshje pas ndeshjeje dhe besoj se pas sfidës së fundit të kampionatit do të flasim nëse kemi qenë për kampion apo jo.

Si kapiten, keni një mesazh për tifozërinë e Kukësit?
Për mua është privilegj të jem kapiten i kësaj skuadre, pasi dihet që Kukësi ka pasur futbollistë të nivelit të lartë, gjithashtu edhe kapitenë, të cilët kanë qenë më emër.

Për mua është edhe përgjegjësi. U bënë tri vite që Kukësi nuk po i luan ndeshjet në stadiumin e vet, shpresoj që me kthimin pas festave, ndeshjen e parë me Dinamon ta luajmë në fushën tonë dhe ta ndiejmë atë aromën e shtëpisë sonë.

I bëj thirrje të gjithë tifozëve të Kukësit, ku ndoshta e kanë pasur të pamundur të vijnë në stadium dhe na kanë ndjekur nga televizori, shpresoj që të vijnë sa më shumë dhe të na përkrahin në ndeshjen e parë. Jemi një grup i mirë dhe luftojmë shumë për këtë bluzë dhe mendoj se çdo futbollist ia di vlerën këtij klubi të madh.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"