“Për nivel loje jemi më lart se të tjerët”, Çelhaka pa komplekse: Faji ynë që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 21:44

“Për nivel loje jemi më lart se të tjerët”, Çelhaka pa komplekse: Faji ynë që…

Nën shiun që nuk pushoi gjatë gjithë ditës, Besa ka vijuar dje stërvitjen për ballafaqimin me Pogradecin. Seancat e kësaj jave janë zhvilluar të gjitha ne aneksin stërvitor me bar sintetik. Besa vjen pas barazimit në Fier, ku kapiteni Alket Çelhaka pranon pa komplekse se faji i gjithi mbetet i lojtarëve, duke e nisur nga vetja. “Kemi lënë shumë pikë rrugës deri tani. Kemi zhgënjyer, duke qenë larg pritshmërive.

Besa-Kavaje

Po ajo që më bën të ndihem keq, është fakti se kemi luajtur mjaft mirë dhe kemi dominuar thuajse çdo takim. Pjesë e fajit jam edhe unë, si kapiten dhe lojtar. Ndaj Apolonisë, për shembull, gabova kur rezultati ishte 0-1, pasi  humba një rast të pafalshëm që jam i bindur se do ta mbyllte takimin në favorin tonë. Kërkoj ndjesë për atë moment, por e keqja qëndron te të gjithë, pasi nëse me Apoloninë humba unë dhe Onuh raste, në ndeshjet e tjera kanë humbur shokët.

Humbja e rasteve po na ndjek si një mallkim i keq dhe nuk di kur do t’i vijë fundi kësaj situate. As e kisha imagjinuar të kishim kaq pikë. Trajneri Magani ka të drejtë të mërzitet. Javë pas jave na kërkon të jemi pragmatistë dhe të mos gabojmë aq lehtë në rastet që krijojmë. Ai shpesh na thotë se ka besim te ne, duke u nisur nga loja, por ne ia bëjmë të keqen vetes”, ka theksuar fillimisht kapiteni Çelhaka për “Panorama Sport”.

POGRADECI – Verdhezinjtë do të udhëtojnë drejt Pogradecit në fundjavë, në një fushë të vështirë dhe aq më tepër që liqenorët vijnë pas asaj fitoreje në Lushnjë. Ky fakt nuk do të thotë asgjë për Alket Çelhakën, i cili beson se Besa qëndron më lart se të gjitha ekipet, pavarësisht pikëve.

“Në këtë situatë e kemi çuar vetë ekipin, nuk mund të bëjmë më llogari pikësh. Pogradeci vjen pas fitores në Lushnjë, por nuk do të thotë asgjë. Edhe ne udhëhoqëm për 87 minuta në Lushnjë. Garantoj se Besa kundër çdo kundërshtari krijon raste dhe ne thjesht duhet t’i shfrytëzojmë.

Në Pogradec jam i bindur se do të kemi shanset tona. Loja nuk çalon, vetëm pikët nuk përputhen. Në Pogradec shkojmë për fitore, s’kemi rrugë tjetër. Ajo që kërkojmë është vetëm gjykimi korrekt. Të tjerët vetëm me një rast e fitojnë ndeshjen dhe Besa duhet të jetë pragmatiste”, ka përfunduar mesfushori kavajas.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"