“Për kapitenin pyet Dukën, Rama mund të të bëjë xhiro falas me autobus të hapur”, lexoni 20 këshillat nga “Panorama Sport” për Silvinjon në Shqipëri
“Panorama Sport” do ta respektojë traditën e krijuar tashmë prej vitesh për çdo trajner të ri që merr drejtimin e Kombëtares. Përpara se të prezantohet zyrtarisht para publikut shqiptar, gazeta më e madhe në vend përpiqet t’i japë disa këshilla miqësore Silvinjos që ai të përshtatet sa më shpejt me realitetin shqiptar.
1. Peleja ynë është Panajot Pano. E ka ekzaltuar tifozërinë shqiptare dhe e kanë dashuruar pa kushte mijëra sportdashës që dikur mbushnin stadiumet. Ti mund të “mburresh” edhe me Ronaldinjon, Ronaldon, Rivaldon, Tiago Silvën e shumë të tjerë, por ne kemi Demollarin, Bogdanin, Kushtën, Skelën, Canën etj.
2. Nëse kualifikohesh në “Euro 2024” Rama do të të bëjë xhiro me autobus të hapur nga Rinasi në pikun e vapës dhe do t’u tregojë të gjithëve se pa të kjo nuk do të ishte e mundur. Do t’u japë pasaporta diplomatike të gjithëve dhe do t’ua heqë prapë pas dy vitesh. Do të japë premio 1 milion euro për të gjithë ekipin kombëtar, por do të mbajë taksë 2 milionë euro nga paratë që UEFA i jep FSHF-së për kualifikimin.
3. Kryeministri ynë dizajnon fanellat e kombëtares. Mos u çudit, ai ka lidhje të forta me sportin. Ka qenë dikur basketbollist i Dinamos, pastaj ca kohë drejtues i Tiranës dhe së fundmi mezi i ka gjetur punë vëllait te Partizani…
4. Kapitenin e ardhshëm të Kombëtares mund ta zgjedhësh edhe me votë, por në fund bën mirë t’i çosh një SMS Dukës. Ai mund të të japë mendime të çmuara për shiritin, por edhe për formacionin.
5. Nëse të pëlqen Shqipëria dhe kërkon të rrish gjatë, atëherë bën mirë të konsultohesh me Alban Bushin dhe Ervin Bulkun, që të të tregojnë formulën e jetëgjatësisë.
6. Nëse të merr malli për Brazilin, thuaju të të çojnë në Vlorë, aty do të gjesh edhe detin, edhe Troisin me ca brazilianë simpatikë që Idrizi i ka zgjedhur me merak.
7. Roshi nuk luan dot mbrojtës krahu. Edhe një herë: Odise Roshi NUK luan dot mbrojtës krahu.
8. Astrit Hafizi do të të kritikojë edhe pasi të kesh fituar nëse nuk i pëlqen loja. Mos ki merak se nuk synon vendin tënd, thjesht i kanë ardhur në majë të hundës justifikimet e paraardhësve të tu.
9. Mund të japësh intervista lirshëm në shumicën e TV-ve shqiptare. FSHF ka punuar gjithë këto vite që trajnerët e Kombëtares të kenë gjithmonë pyetjet “e duhura”.
10. Mos jep intervista dhe mos fol kurrë me “Panorama Sport”. Pyetjet e tyre nuk kalojnë asnjëherë për miratim nga zyrat e FSHF-së dhe ata të poshtrit mund të të vënë në vështirësi.
11. Meqë ke qenë ish-mbrojtës i majtë do ta kuptosh lehtë se Hysaj nuk luan dot në të majtë me skemën 3- 5-2.
12. Broja është Ronaldo ynë, nëse ke këllqe mund ta lësh në stol.
13. Mos ki merak për tifozët në ndeshjet e mëdha. Edhe nëse humbet ata nuk të kontestojnë, sepse shumica janë zyrtarë me kollare që FSHF ua bën qejfin se helbete edhe i duhen…
14. Kur Shqipëria të luajë në transfertë ti do të shohësh në avionin e Kombëtares tipa që nuk i njeh, por të buzëqeshin dhe të thonë “mister ça bone…?” Mos u shqetëso, janë ose presidentë klubesh ose miq të FSHF-së që udhëtojnë prej vitesh me ekipin kuqezi sa herë luan Kombëtarja jashtë.
15. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, ka më shumë ndeshje (40) me Kombëtaren se ty (6). Por mos u bëj xheloz, sepse presidenti i federatës nuk i ka rënë kurrë topit me këmbë.
16. Ndeshjen e parë e ke me Poloninë dhe përveç masave që do të marrësh për Levandovskin, thuaj edhe Kumbullës që ta heqë topin thjeshtë. Ta nxjerrë jashtë është ideja, jo të parakalojë Levën në sprint…
17. Bëj çfarë të duash, nëse nuk kualifikohesh, do të mbetesh gjithnjë pas De Biazit.
18. Mos u komplekso nga fakti që je brazilian dhe Shqipëria duhet të dhurojë spektakël në fushë. Nuk mërzitemi ne edhe po shkuam në Europian me katenaço. Mjafton që të na kualifikosh.
19. Nëse të duhet informacion për alternativat nga kampionati shqiptar, pyet Rejën se ti “dogji” ai tri miqësore…
20. Kujdes minutat e fundit, shpeshherë janë fatale për Shqipërinë. Por kur themi shpesh, do të thotë ca si shumë shpesh…
SHËNIM: Ky është shkrim me doza humori dhe nuk ka asnjë qëllim që të jetë një udhërrëfyes real për trajnerin e ri të Shqipërisë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"