Për historinë dhe surpriza, të rinjtë gati të ndihmojnë Milanin në mbrojtjen e titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 21:49

Për historinë dhe surpriza, të rinjtë gati të ndihmojnë Milanin në mbrojtjen e titullit

Ka nga ata që Milanin e kanë fituar që vitin e kaluar dhe këtë vit duan të konfirmohen, por edhe nga ata që sapo kanë ardhur dhe duan të dëshmojnë se mund të jenë në mesin e kampionëve të Italisë. Bëhet fjalë për Sandro Tonalin dhe Sharl de Ketelaren, të cilët “La Gazzetta dello Sport” i cilëson si “asët e skudetos” për ekipin e Piolit. Kuqezinjtë rifillojnë nga të rinjtë dhe këtë herë nga ata të lindur në vitet 2000: jo vetëm Sandro dhe Sharl, por edhe Kalulu dhe Adli.

MILAN

PËR HISTORINË – Milani është gati të mbështetet në numrin 8 dhe po mendon një propozim për të rregulluar kontratën aktuale për të faktuar në njëfarë mënyre edhe këtë synim.

Tonali ka një akord me klubin që skadon në  vitin 2026, teksa drejtuesit mendojnë t’i ofrojnë një të tillë deri në vitin 2027 me një rritje rroge në nivelet e propozuara për Teon dhe Tomorin, pra me rreth 3.5 milionë në sezon e jo më me 1.2 siç është aktualisht.

Sandro nuk ishte në ndeshjen kundër Udinezes për shkak të një shqetësimi muskulor të pësuar në ndeshjen e fundit miqësore me Viçencën, por dje u stërvit me grupin dhe synon të jetë i gatshëm për sfidën e së dielës kundër Atalantës.

Tonali është një siguri e këtij Milani, veçanërisht pasi mesfusha kuqezi ka mbetur jetime nga Kesin. Mbase 22-vjeçari nuk do të jetë “Presidenti” (nofka e Kesit) i ri, por me siguri që dëshiron të jetë një flamur i ri.

PËR T’U HABITUR – Pak metra përpara Tonalit do të luajë Sharl de Ketelare, i cili në minutat e para në fushën e “San Siros” kundër Udinezes tregoi një përqindje të vogël të cilësisë së tij.

Tifozët e pritën me shumë ngrohtësi dhe belgu, ashtu siç garanton Stefano Pioli, ka mbërritur në ekip me dëshirën për të punuar dhe me kuriozitet të madh.

Për momentin, Sharl po shijon jetën e tij të re milaneze dhe po punon për t’u vendosur sa më shpejt në qytet, por mbi të gjitha brenda skemave të ekipit të tij të ri, i gatshëm të kontribuojë për ta bërë Milanin të madh edhe një herë.

Edhe Jasin Adli kërkon të luajë deri në fund shanset e tij. Talenti është i padiskutueshëm, teksa te Milani mund të gjejë ambientin e duhur për të çelur siç ndodhi me Pier Kalulunë, që nga një i ri premtues që nuk kishte debutuar as në kampionatin francez, u kthye në kolonë të kampionëve të Italisë në diçka më shumë se një vit.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"