Për fitore ndaj Kukësit, Duro do “kokën” e ish-skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 21:07

Për fitore ndaj Kukësit, Duro do “kokën” e ish-skuadrës

Klodian Duro e ka nisur mjaft mbarë aventurën si trajner i Kamzës. Skuadra, nën drejtimin e Duros, po punon çdo ditë në të gjitha aspektet, si në atë të përgatitjes fizike, po ashtu edhe në aspektin tekniko-taktik, ku lojtarët janë mjaft të impenjuar. Kamzalinjtë këtë javë do të jenë mysafirë të Kukësit, takim i cili do të luhet në fushë asnjanëse, pasi stadiumi “Zeqir Ymeri” nuk është licencuar për këtë sezon.

Duro Kamza

Ndeshja e radhës do të jetë një sfidë e veçantë për disa lojtarë të Kamzës, pasi kanë luajtur me Kukësin, por speciale do të jetë për Klodian Duron, i cili e nisi aventurën si trajner pikërisht në stolin e verilindorëve. Pas debutimit me fitore ndaj Kastriotit, trajneri elbasanas kërkon suksesin e radhës si trajner i Kamzës, ku pa dyshim nuk do ta kursejë “kokën” e Kukësit. Orjad Beqiri u dëmtua të mërkurën e kaluar në Kupë ndaj Besës dhe është në dyshim për Kukësin.

Pjesa tjetër e ekipit gëzon gjendje të mirë, ndonëse disa futbollistë kanë kaluar një virozë të lehtë gripale. Në përgjithësi, skuadra duket si një ekip i mirorganizuar, si te drejtuesit po ashtu dhe te lojtarët. Kamzalinjtë po mundohen që ta harrojnë suksesin me krutanët dhe gjithë fokusi të jetë te përgatitjet për ndeshjen e radhës me Kukësin. Gjatë kësaj jave, synohet të punohet më shumë në aspektin fizik, por edhe në ndërtimin e disa skemave taktike. Trajneri Duro i ka idetë e qartë dhe pret suksesin e radhës, ndonëse i pret një ndeshje në transfertë ndaj një ekipi me potencial si Kukësi.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"