“Për dy vite jemi në elitë, kalojmë çdo pengesë”, Kishte gjashtë muaj pa luajtur, Bicaj: U çlirova, mall për fushën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2021 | 10:05

“Për dy vite jemi në elitë, kalojmë çdo pengesë”, Kishte gjashtë muaj pa luajtur, Bicaj: U çlirova, mall për fushën

Kishte më shumë se 6 muaj larg fushave, por më në fund u rikthye. Dëmtimin po e lë pas dhe është gati të japë maksimumin për Flamurtarin. Jemi duke folur për mbrojtësin Ditmar Bicaj, që i është bashkuar projektit të kuqezinjve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, lezhjani paralajmëron se skuadra do të kalojë çdo pengesë dhe për dy vite do të jetë në elitë. Edhe pse do t’u duhet të luajnë në një infrastrukturë larg pritshmërive, 32-vjeçari thotë se i kanë marrë që të gjitha masat. Komenton edhe startin e Kategorisë së Dytë, ndërsa hapat falsë me Tepelenën dhe Labërinë i lidh me nënvlerësimin e kundërshtarëve.

ditmar bicajDitmar Bicaj, mbrojtësi 32-vjeçar i Flamurtarit

Ditmar, si u bindët që të riktheheshit në Vlorë dhe sidomos te një ekip që do t’i duhet të militojë në Kategorinë e Dytë?

Më bindi projekti i Sinan Idrizit. Për presidentin gëzoj respekt maksimal dhe nuk mund t’i thosha “jo”. Ndikim pati edhe merkatoja dhe ju e dini tashmë se sa shumë lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë u janë bashkuar vlonjatëve këtë verë. Këto kanë qenë ato që bënë të rikthehesha te Flamurtari.

Prej muajsh keni vuajtur një dëmtim që ju ka mbajtur larg fushave, si ndiheni tani?

Më ka munguar vërtet shumë futbolli. Nuk kisha pak, por 6 muaj pa luajtur. Që mbas atij dëmtimi që kalova nga sezoni i fundit, kam qenë larg fushave. Tani jam rikthyer dhe jam i çliruar, pasi luajta në ndeshjen me Labërinë. Jam duke fituar formën time dhe besoj se do të jap më të mirën për ekipin.

Ju keni luajtur në nivele të larta gjithnjë dhe kjo kategori ka një infrastrukturë që lë për të dëshiruar. Do ta keni të vështirë të luani në terrene të tilla?

Patjetër që do të jetë e vështirë, sepse terrenet nuk janë ashtu si jemi mësuar ne. E megjithatë, e kemi marrë përsipër ta rikthejmë Flamurtarin në elitë. Natyrisht e dimë që shkallët do t’i ngjisim një e nga një dhe pengesa do të ketë boll. Kërkohet vetëm seriozitet dhe impenjim maksimal, sepse cilësitë brenda skuadrës i kemi.

Keni mungesë pikësh, çfarë nuk ka shkuar në tri javët e para të kampionatit?

Po normalisht kemi lënë katër pikë me Tepelenën dhe Labërinë, por tashmë ekipi besoj se do të reflektojë. Mendoj se ka qenë edhe nënvlerësim i kundërshtarëve.

Sa kohë do i duhet Flamurtarin që të rikthehet në elitë?

Projekti është ndërtuar që brenda dy vitesh të jemi në Superligë. Mbështetja nga ana e presidencës është maksimale. Kushtet janë perfekte, kështu që neve si futbollistë na mbetet vetëm t’ia shpërblejmë besimin që na është dhënë për të përfaqësuar këtë fanellë që peshon rëndë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"