“Për Dinamon duhet të derdhësh gjak”, rrëfimi i ish-kapitenit Pere: Jam tifoz i bluve, por nuk menduan asnjëherë për mua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2022 | 21:24

“Për Dinamon duhet të derdhësh gjak”, rrëfimi i ish-kapitenit Pere: Jam tifoz i bluve, por nuk menduan asnjëherë për mua…

Miklovan Pere ishte një nga shtyllat kryesore të ekipit që një vit më parë e ngjiti Dinamon në Superiore pas shumë vitesh. Me shiritin e kapitenit në krah, mbrojtësi pogradecar ishte një nga liderët e atij grupi, që më pas u largua i gjithë. Klubi u riorganizua, duke nisur nga struktura drejtuese, për të vazhduar me stafin dhe lojtarët.

Pere Dinamo

Ata që qëndruan nga Dinamoja e Kategorisë së Parë numërohen me gishtat e njërës dorë: portieri Edvan Bakaj, mesfushori Kevi Berberi (i larguar në janar) dhe braziliani Diogo. Ish-kapiteni Pere, i cili aktualisht luan për Strugën në kampionatin maqedonas, në një intervistë për “Panorama Sport”, thekson se përgjegjësia është e gjitha e drejtuesve që prishën boshtin. Ai shprehet se Dinamo është një emër madhështor dhe për të duhet të derdhësh gjak në fushë.

Pas gati një viti Dinamo po kthehet sërish aty ku ishte, në Kategorinë e Parë. Sipas jush, pse dështoi kjo skuadër në elitë?

Sinqerisht, më vjen shumë keq që Dinamo dështoi në sezonin e rikthimit në Superiore dhe tani po shkon përsëri në të Parën. Mendoj që dështimi i Dinamos nisi që me prishjen e boshtit të ekipit që e ngjiti në elitën e futbollit shqiptar. Ishte një gabim i madh.

Çfarë u bë tjetër gabim në verë, kur thuajse të gjithë ata që e ngjitën ikën dhe Dinamo mori më shumë se 20 lojtarë të rinj?

Ishte shumë i gabuar, siç e thashë, vendimi për të krijuar ekipin nga e para. Askush nuk mendoi për gjithë ata çuna, gjithë ata futbollistë, të cilët sakrifikuan jo pak për atë ekip, treguan karakter dhe forcë që Dinamo arriti të dilte kampione në grupin e saj dhe të kthehej në elitën e futbollit shqiptar. Është për të ardhur keq që sakrifica jonë u zhvlerësua ashtu. Mendimi im është se ishim shumë më të fortë sesa ekipi që ndërtuan drejtuesit që erdhën në krye të Dinamos.

Ju e keni ndjekur ndoshta Dinamon gjatë sezonit. Sa faj mendoni se kanë drejtuesit, sa faj kanë trajnerët dhe sa faj kanë lojtarët?

Po, e kam ndjekur Dinamon në disa ndeshje. Mënyra se si u ngrit kjo skuadër, nga zeroja, ishte e pakuptimtë dhe ja tani, koha e vërtetoi. Drejtuesit dështuan dhe normalisht e gjithë përgjegjësia për këtë dështim u mbetet atyre. Sa për lojtarët, nuk dua të shaj njeri, sepse njësoj si ata lojtarë jam edhe unë. Por, ajo që unë mund të them është se për atë ekip duhet të derdhë gjak në fushën e lojës kushdo që vesh fanellën e Dinamos. Lojtarët duhet ta ndiejnë atë fanellë, sepse është e një ekipi madhështor në Shqipëri. Ky është mendimi im.

Tifozët kanë kritikuar drejtuesit se nuk kanë afruar dinamovitë në ekip, si dhe lojtarët se nuk e ndiejnë fanellën. Ju si mendoni?

Për tifozërinë dinamovite kam shumë respekt. Ashtu si ata, edhe unë jam një tifoz i Dinamos. U bëra tifoz blu pasi nuk isha më futbollist i kësaj skuadre. Tifozët kanë shumë të drejtë. Askush nuk mendoi për gjithë ata futbollistë që e çuan Dinamon në elitën e futbollit.

Nëse ju fton sërish Dinamo në Kategorinë e Parë, do të pranonit?

Më vjen shumë keq për Dinamon, por një rikthim nuk e mendoj akoma, sepse kam kontratë tek ekipi aktual, Struga. Ju po thoni që Dinamo të më dërgojë një ftesë përsëri, por Dinamo a mendoi ndonjëherë për mua si kapiten?! Jo vetëm unë, por gjithë ata futbollistë që e çuan në Superiore, nuk e merituan atë sjellje nga ana e drejtuesve të rinj…

Sa shanse ka Dinamo të kthehet në Superiore menjëherë?

Shpresoj që të ngjitet përsëri sa më shpejt, por sezonin e ri mendoj se do ta ketë shumë të vështirë, sepse Kategoria e Parë do të jetë shumë herë më e fortë, më e fortë se kurrë më parë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"