“Për çfarë duhet bordi? Klubi tani e ka një president…”, u dorëhoq, Kushta: Pse ka bord Flamurtari?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2021 | 15:33

“Për çfarë duhet bordi? Klubi tani e ka një president…”, u dorëhoq, Kushta: Pse ka bord Flamurtari?

Sokol Kushta nuk do të jetë më anëtar i bor dit të Flamurtarit. Legjenda e futbollit vlonjat ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga kjo detyrë. Pas largimit të tij, Bashkia Vlorë është detyruar që ta zëvendësojë dhe ka emëruar pasardhësen e tij.

SOKOL KUSHTA

Është Liljana Breshani, anëtarja më e re e bordit. Vendimi për të hequr dorë nga ky funksion ka qenë i parevokueshëm prej ishsulmuesit.

Vlen të përmendim që ai mban ende detyrën e anëtarit të Këshillit Bashkiak në Vlorë dhe thjesht ka hequr dorë nga bordi. Ish-futbollisti i shquar i kuqezinjve ka qenë gjithnjë aktiv në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, sa herë që flitej mbi çështjen “Flamurtari”. Kushta e ka ngritur shpeshherë zërin për këtë gjë dhe në veçanti theksin e ka vendosur te privatizimi i klubit.

Duke mos parë ndonjë lëvizje konkrete të klubit, ai ka vendosur të largohet njëherë e mirë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Vlorës, anëtarja më e re e bordit i ka thënë Kushtës se do të konsultohet me të për disa projekte dhe ide që ka për Flamurtarin:

“Do të konsultohemi bashkë për disa projekte dhe ide që kam unë për Flamurtarin. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë për ta çuar ekipin aty ku e ka vendin”.

KUSHTA

Legjenda e Flamurtarit e cilëson të kotë funksionin e bordit të klubit. Në një kohë kur ekipi administrohet nga kompanitë turke dhe ka një drejtues privat, e quan të panevojshëm ekzistencën e një bordi. Për “Panorama Sport”, Sokol Kushta ka sqaruar shkaqet që e kanë çuar drejt këtij vendimi dhe dukshëm nuk është bërë pishman.

Ish-futbollisti e sheh plot dyshime bordin dhe me ironi thotë: “Pse ka bord Flamurtari?” Ai evidentoi për të disatën herë se zgjidhja më e mirë është privatizimi dhe shitja e Flamurtarit dhe këtë hap e sheh më shumë se të vonuar.

“Pse i duhet ai bord? Çfarë mund të vendosë ai bord? Tani ekipi ka një president. Nuk e kuptoj pse nuk ia shesin ekipin. Dihet që asnjë nuk mundet ta mbajë atë ekip. Domethënë, këto etiketime anëtar bordi janë kot”, përfundon ish-sulmuesi i shquar i kuqezinjve.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"