“Për 100-vjetorin e klubit, na shihni në Superiore”, Ribaj është i vendosur: I qëndroj besnik Flamurtarit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2022 | 11:17

“Për 100-vjetorin e klubit, na shihni në Superiore”, Ribaj është i vendosur: I qëndroj besnik Flamurtarit!

Andi Ribaj ofron besnikëri ndaj Flamurtarit. Jo vetëm që nuk do të largohet, por paralajmëron se karrierën do ta mbyllë në Vlorë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni tregon edhe bisedën që ka zhvilluar me drejtuesit për të ardhmen. Komplimenton grupin aktual, por nuk dëshiron që të diskutojë vendimet që do të marrë administratori Sinan Idrizi për secilin. Kur ndalet tek objektivat, është më i qartë se kurrë dhe hapur e thotë: “Për 100-vjetorin e klubit, na shihni në Superiore”.

ANDI RIBAJ 1

Ribaj, si po ecin pushimet?

Pushimet po ecin shumë mirë. Normalisht që po pushoj, por edhe po stërvitem. Jam duke punuar në mënyrë individuale. Do të jetë një sezon i gjatë dhe i vështirë, ndaj jam i fokusuar te puna për të bërë më të mirën. Ndaj nuk ka kohë për pushime të gjata. Në këto ditë edhe po pushoj, edhe po stërvitem, për të qenë në formë të mirë gjatë fazës përgatitore dhe kampionatit gjithashtu.

Ju kanë kontaktuar nga Flamurtari për të ardhmen?

Po, kam fol dhe po presim. Kam pasur kontakte me drejtuesit e klubit dhe me vetë presidentin Sinan Idrizi. Normalisht që kemi folur për të ardhmen.

Cila do të jetë e ardhmja, do të vazhdoni me Flamurtarin?

Sigurisht që do të vazhdoj te Flamurtari. Unë aty do ta mbyll karrierën. Kështu që, do të jem për një kohë të gjatë në Vlorë. Jam si në shtëpinë time. Këtu është një ambient shumë i mirë dhe ndihem i respektuar nga të gjithë. Nuk do të largohem, por do t’i qëndroj besnik fjalës së dhënë. Do të jem këtu për ta çuar Flamurtarin ku e ka vendin.

Idrizi ka lënë në ajër çdo gjë dhe ka bërë të qartë se asnjë nuk është i sigurt te Flamurtari. Si e lexoni ju këtë?

Presidenti di gjithçka më mirë. Unë nuk kam ndonjë gjë për të thënë. Besoj se nuk është e nevojshme që ta komentoj.

Çfarë këshilloni për merkaton?

Nuk kam ndonjë këshillë specifike, sepse i vendos presidenti me stafin këto gjëra, ndaj ata e dinë më mirë.

Po për ruajtjen e grupit?

Edhe për këtë gjë e di presidenti. Normalisht që ky grup lojtarësh e bëri mjaft mirë detyrën dhe e realizoi misionin që kishim. Për këtë kanë të gjithë merita: lojtarët, stafi teknik dhe drejtuesit. Por pa mbështetjen e madhe të presidentit Idrizi nuk do të arrinim asgjë.

Ngjitet Flamurtari në Superiore për 100-vjetorin?

Normalisht që do të ngjitet. Nuk kemi asnjë dyshim për këtë, sepse presidenti po bën çdo gjë për ta arritur ngritjen për 100-vjetorin e klubit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"