“Për 10 ditë bëhemi të frikshëm”, trajneri Ndreu: Dua lojtarë të gatshëm, pres edhe Okebugun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2020 | 15:30

“Për 10 ditë bëhemi të frikshëm”, trajneri Ndreu: Dua lojtarë të gatshëm, pres edhe Okebugun

Ramadan Ndreu pret cilësi dhe përvojë nga merkatoja dhe ndoshta ishte ky motivi që nuk u bind prej të rinjve që pati në provë. Në një kohë që Kastrioti po tenton ngjitjen e menjëhershme në elitë, nuk dëshiron të bëjë eksperimente me afrimet. Trajneri, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, evidenton se në këtë fazë të kampionatit ka nevojë vetëm për lojtarë të gatshëm.

ramadan ndreu

Pas Lukman Husein, tekniku krutan konfirmon edhe rikthimin e Henri Okebugut në Krujë. Mësohet se afrikani do të mbërrijë në Shqipëri më 20 janar, duke shtuar edhe më shumë cilësinë te krutanët.

“Pjesa e parë e sezonit ka qenë e mirë, përtej atyre ulje-ngritjeve që kemi pasur në fillim të sezonit, të cilat gradualisht u eliminuan. Viti i ri na gjeti në krye të grupit, me një diferencë të konsiderueshme nga rivalët. Sigurisht që kampionat ka ende dhe unë tani e shoh pjesë më të vështirë.

Megjithatë, ne e kemi grupin, të gjithë titullarët që kishim pjesën e parë do të vijojnë të jenë edhe në vazhdim. Plus që na është rikthyer  Husein, po presim edhe Okebugun. Por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë afrimi që vlen dhe mund të na bëjë punë në vazhdim.

Kemi disa ditë që kemi nisur fazën përgatitore dhe deri më tani jam i kënaqur me djemtë. Patëm dhe disa lojtarë në provë, por doja të thosha se pavarësisht cilësive të tyre, neve na duhen lojtarë të gatshëm, pasi në këtë pikë ku është kampionati, koha për t’i përgatitur dhe përshtatur me grupin nuk është e mjaftueshme. Megjithatë, e thashë dhe më lart, që ky grup më bind dhe shpresoj që dhe Huseini që u rikthye apo dhe Okebugu që presim të na vijë, të kenë formë fizike dhe të na ndihmojnë gjatë kampionatit.

Gjatë këtyre ditëve kemi planifikuar dhe disa miqësore në mënyrë që ta shohim skuadrën dhe ta përgatisim për startin e pjesës së dytë të kampionatit. Kemi dhe 10 ditë kohë për ta bërë gati ekipin për ndeshjet që na presin, kampionat dhe Kupë”, përfundoi tekniku.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"