Peqini: Jam rikthyer në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2016 | 11:39

Peqini: Jam rikthyer në shtëpi

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Roland Peqini, ka firmosur dje me Dinamon. Lojtari kishte arritur dy ditë më parë akordin me administratorin Saliaj dhe është bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës në seancën stërvitore.

peqiniFutbollisti ka një kontratë me klubin që e mban të lidhur për një sezon e gjysmë, por në rast se do të ketë një ofertë nga një klub i Kategorisë Superiore, atëherë do të jetë i lirë të shkojë. Peqini është një njohje e vjetër te skuadra kryeqytetase, pasi ka nisur hapat e parë të karrierës profesioniste pikërisht aty. Ndërkohë që te Dinamo, Peqini ka gjetur edhe Gërxhon, me të cilin ka luajtur në gjysmën e parë të kampionatit te skuadra e Tërbunit.

Deklarata

Në një prononcim për “Panorama Sport”, tashmë si lojtar i Dinamos, Peqini ka deklaruar:

“Jam shumë i kënaqur që më në fund firmosa me Dinamon dhe kam dashur më parë të jem këtu. Është skuadra ku unë nisa të luaja si profesionit dhe klubi me të cilin arrita të fitoj titullin, por edhe shumë medalje të tjera”. Mbrojtësi ka pranuar se këtë vit është shumë e vështirë që Dinamo të jetë pjesë e elitës, por për sezonin e ardhshëm shpresat janë të mëdha.

“Mendoj se këtë sezon ekipet e vendeve të para janë shumë larg, por do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe do të shohim se ku do të arrijmë në mbyllje të kampionatit. Gjithsesi, Dinamo, pavarësisht problemeve që ka kaluar, e meriton të jetë në elitë”, ka pohuar lojtari. Ai ndien nostalgji për kohën kur blutë kishin në përbërje emra të mëdhenj lojtarësh që bënin diferencën në Kategorinë Superiore.

“Pisha, Poçi, Allmuça, Pejiç e shumë të tjerë kanë qenë ata që më parë i jepnin tonus skuadrës së Dinamos dhe e fitonim kampionatin që në fazën e parë. Megjithatë, besoj dhe shpresoj se Dinamos do t’i vijë shumë shpejt dita që të rikthehet aty ky i takon, pasi mbetet një emër i madh në futbollin shqiptar”, ka mbyllur Peqini. Me afrimin e Peqinit, trajneri Allmuça ka më shumë siguri në mbrojtje, sidomos pas largimeve që kanë ndodhur në ekip. Aktualisht tekniku po mendon për formacionin me të cilin do të luajë në ndeshjet e kampionatit.

Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"