Peposhi humb Partizanin, Hadroji: Bylisi po e zbukuron kampionatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2020 | 10:45

Peposhi humb Partizanin, Hadroji: Bylisi po e zbukuron kampionatin

Një dëmtim muskulor që në mes të pjesës ë parë ndaj Kukësit vijon që ta mbajë jashtë formacionit Ardit Peposhin. Mbrojtësi i majtë u detyrua që ta linte fushën përballë Kukësit në fundjavë dhe tashmë do të humbasë edhe përballjen e radhës ndaj Partizanit. 

ardit peposhi

Burime pranë klubit ballshiot bëjnë me dije se shkalla e dëmtimit nuk e lejon mbrojtësin të rikthehet në stërvitje, ndaj prania me të kuqtë është e pamundur. Kësisoj, një hall tjetër i shtuar për trajnerin Dovedan, i cili po përballet me mungesa të shumë titullarëve prej dëmtimeve. Mungesë e sigurt është edhe mbrojtësi tjetër i majtë, Edison Ndreca, që u dëmtua në Laç dhe Jurgen Goxha i pezulluar nga Disiplina.

PARTIZANI – Dueli i kësaj jave në Superiore vë përballë Bylisin me Partizanin. Nga njëra anë janë kampionët në fuqi e nga ana tjetër janë ballshiotët, si një nga ekipet që po luftojnë për pjesën e sipërme të tabelës. Megjithatë, për skuadrën e Dovedanit duket se ndeshja ndaj të kuqve po trajtohet vetëm si sfida e radhës, pa i dhënë një rëndësi të veçantë në një moment kur kampionati është shumë i ngjeshur. Këtë e tregon edhe Andi Hadroj në fjalët e tij për “Panorama Sport”. “Për mua personalisht është një ndeshje shumë e rëndësishme, se luhet kundër kampionëve të Shqipërisë. Ndërsa për ekipin, për vetë mënyrën si po përgatitemi, kjo është ndeshja e radhës. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht dhe shpresoj të arrijmë një rezultat sa më pozitiv, pasi mundësitë i kemi, edhe pse vijmë pas dy rezultateve negative”, tha fillimisht Hadroji.

andi hadroj

MUNGESAT – Trajneri Dovedan është përballur me mungesa të shumta gjatë kësaj periudhe. “Skuadra ka mungesa, por ka edhe lojtarë të tjerë të gatshëm që janë të gjithë në formë optimale. Shpresojmë të dalim me rezultat pozitiv nga kjo përballje”, vijoi futbollisti.

KUKËSI – Andi Hadroj ishte një ndër lojtarët që u dallua për Bylisin në ndeshjen ndaj Kukësit, ku ballshiotët morën barazimin. “Vinim nga dy rezultate jo të mira në fushën tonë dhe na duhej me patjetër fitorja. Provuam shumë, dominuam me raste edhe duke ditur kë kishim përballë, por na mungoi fati. Trajneri na ka motivuar shumë gjatë gjithë javës. Gjëja jonë më e fortë është presingu dhe vrapimi. Kjo është loja e Bylisit. Sa i përket objektivit, ne preferojmë t’i marrim një nga një ndeshjet pasi kampionati është i gjatë dhe gjithçka mund të ndodhë”, përfundoi Hadroji.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"