Pepa premton gola për Tomorin, Ruçi: Fitojmë bindshëm me Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 13:40

Pepa premton gola për Tomorin, Ruçi: Fitojmë bindshëm me Lushnjën

Tomori do “bis” me Lushnjën. Pasi i mundën në Kupë, tani duan edhe një fitore në kampionat. Ende nuk e kanë bërë sefte në shtëpi, ndaj sot kanë shansin më të mirë. Përballë do të kenë një ekip të ndryshëm nga ai i së mërkurës, e megjithatë beratasit i kanë marrë që të gjitha masat për ta bërë festë. Aq shumë e kanë vlerësuar këtë 90-minutësh, gjë që duket te grumbullimi. Klevis Dalipi ka menduar që ta mbajë larg presionit dhe zhurmave ekipin, ndaj ka bërë këtë zgjedhje. Synimi mbetet i qartë dhe është trepikëshi.

Tomori Dalipi

Këtë e ka pohuar për “Panorama Sport” edhe Ledion Ruçi, lushnjari i beratasve. Pas seancës së fundit stërvitore, mbrojtësi i linjës së majtë e komenton kështu këtë duel: “Kampionati ka tjetër specifikë nga Kupa, ndaj e kemi vlerësuar dyfish kundërshtarin. Vetë emri i Lushnjës kërkon që ta respektojmë dhe të japim maksimumin e mundësive tona. Është e kuptueshme që ne do të luajmë vetëm për fitoren, sepse luajmë në shtëpi dhe duam t’u bëjmë një dhuratë tifozëve. Ndërkohë që forma jonë sportive është përmirësuar dukshëm.

Ne jemi më të avantazhuar në raport me kundërshtarin, për sa i përket aspektit psikologjik. Personalisht ashtu edhe si dy kolegët e mi lushnjarë, respektojmë vlerat e skuadrës sonë të vendlindjes, por në fushë jemi profesionistë dhe do të luftojmë për fitoren. Kemi bindjen e plotë se sot do të përsërisim fitoren bindëse në lojë dhe në rezultat, si në mesjavë”, përfundoi 30-vjeçari. Bashkë me të, statusin e ish-it e kanë edhe portieri Oltion Haremi e sulmuesi Brunild Pepa.

Ky i fundit, teksa po u drejtohej dhomave të zhveshjes, nuk ka ngurruar që të japë një mesazh. Ai është ndalur për të folur me tifozët e pranishëm në stërvitje dhe u ka premtuar: “Nesër (sot) do të shënoj gol edhe për ju dhe jo vetëm një, por sa të mundem”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"