Pepa: Lushnja është qytet i apasionuar me futbollin, nuk do jemi kalimtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2017 | 14:21

Pepa: Lushnja është qytet i apasionuar me futbollin, nuk do jemi kalimtarë

Klubi lushnjar, ndonëse është në varësi të plotë të Bashkisë, ka mundur të realizojë disa afrime të rëndësishme gjatë periudhës së verës. Një ndër to është edhe Brunild Pepa, i cili, pasi i dha fund aventurës me Vllazninë, u rikthye në Lushnjë. Sulmuesi në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” shfaqet optimist për sezonin e ri, ndërsa thekson se përgatitjet intensive do të shoqërohen edhe me rezultatet.

Pepa

“Lushnja mbetet një qytet i apasionuar për futbollin dhe ky fakt na shton edhe më shumë dëshirën për të shkëlqyer me këtë fanellë. Përgatitjet tona, që kur filluam më 3 korrik, janë shoqëruar me mbështetjen që na jep publiku lushnjar. Edhe këtu në Pogradec interesimi për skuadrën është i madh.

Grupi është i impenjuar dhe mendoj se këtë vit në Superiore nuk do të jemi vizitorë. Janë edhe tri javë të rëndësishme përpara startit, ndaj kjo periudhë do të shfrytëzohet maksimalisht prej nesh. Klubi ka bërë afrimet e duhura dhe kam bindjen se do të jemi një “kockë” e fortë për çdo kundërshtar”, është shprehur sulmuesi.

Kujtojmë që Brunild Pepa është produkt i “shkollës” verdhejeshile. Lojtari ka debutuar me këtë fanellë si profesionit më 29 shtator 2009 kundër Pogradecit, duke shënuar në barazimin 1-1. Pas dy periudhave te Teuta, pas aktivizimeve te Flamurtari, Bylisi dhe Vllaznia, kthehet në “Roza Haxhiu” pas shtatë sezonesh. Ai pritet të jetë një nga pikat më të forta të skuadrës së Banos. Ka qenë pikërisht tekniku lushnjar që e afroi te Lushnja kur ishte vetëm 18 vjeç.

TIFOZËT

Kalimi në Kategorinë Superiore ka bërë që tifozët e Lushnjës ta presin kampionatin me më shumë entuziazëm se vitet e tjera. Duke qenë se sezoni do të nisë në Shkodër, ultrasit nuk kanë në plan që ta lënë vetëm ekipin në javën e parë. Ata kanë filluar të mendojnë që tani për këtë transfertë.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"