Pengu i Rexhepit para Laçit: Do ishte ndryshe nëse Skënderbeu nuk do të kishte formacionin e cunguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2022 | 22:21

Pengu i Rexhepit para Laçit: Do ishte ndryshe nëse Skënderbeu nuk do të kishte formacionin e cunguar

Skënderbeu pas dy javësh shkëputjeje nga kompeticionet është rikthyer të përgatisë ndeshjen e radhës në kampionat përballë Laçit. Pasi e mbylli me një barazim vitin e kaluar në transfertën kryeqytetase përballë Dinamos, korçarët janë të vendosur që të vijojnë ecurinë pozitive edhe në këtë ndeshje të parë zyrtare për 2022-shin. I këtij mendimi duket se është portieri i korçarëve, Bekim Rexhepi, i cili ndalet të flasë në pragndeshjen përballë Laçit në Korçë.

Rexhepi Skenderbeu

Përtej rezultateve pozitive që kanë dy ekipet, për Rexhepin Laçi është një nga skuadrat më të forta të momentit dhe ky është tregues i qartë sipas tij se përqendrimi duhet të jetë në maksimum. Më tej, Rexhepi bëri me dije se ndeshjet e shtëpisë për Skënderbeun janë takime për të mos u humbur pavarësisht forcës dhe emrit të kundërshtarit.

“Kemi mbyllur mirë një pjesë të kampionatit duke arritur të marrim rezultate mjaft të mira dhe të zhvillojmë lojë të mirë në javët e fundit. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të nisim kampionatin atje ku e lamë. Vijmë pas një ndeshjeje të barazuar, por që edhe mund ta kishim fituar në fund dhe mbi të gjitha më të freskët pas disa ditësh të nevojshme pushimi. Kemi përballë një nga ekipet më në formë të momentit që ka bërë super paraqitje, por kjo nuk na tremb. Luajmë në fushën tonë dhe këtu humbjet nuk duhet t’i llogarisim aspak. Prandaj duhet të jemi totalisht të përqendruar dhe të motivuar për fitoren. Do të hyjmë në fushë si gjithmonë me mendjen për të bërë lojën tonë më të mirë dhe për të marrë tri pikët në këtë ndeshje”, theksoi Rexhepi, i cili më pas u ndal edhe te mungesat që do të ketë Skënderbeu në këtë ndeshje

. Sipas tij janë mungesa të rëndësishme që edhe mund të ndjehen në lojë, por që skuadra ka plot elementë cilësorë. “Na vjen keq që në një ndeshje kaq të vështirë duhet të përballemi me një ekip të cunguar me kundërshtarin. Do të ishte ndryshe nëse do ta kishim ekipin e plotë. Janë disa lojtarë tejet të rëndësishëm që mungojnë dhe kjo normalisht do të lërë shenjë e do të ndihet. Por, në ekip kemi lojtarë të tjerë cilësorë që mund të bëjnë mirë gjithsesi”, vijoi Rexhepi.

MERKATO – I ndalur te merkatoja, portieri i Skënderbeut ka theksuar se është i përqendruar te Skënderbeu dhe se këtë punë ua ka lënë të tjerëve. Ndërsa për hyrjet në ekip, sipas tij, janë zgjedhje e klubit që mundohet të bëjë një ekip më të fortë. “Te them të drejtën nuk po mendoj aspak për merkaton, pasi e kam thënë edhe më herët që jam i Skënderbeut të paktën deri në fund të sezonit. Për këtë po merren menaxheri im dhe stafi i tij. Për sa u përket afrimeve të Skënderbeut mund të them se çdo ekip ka nevojë për riparime dhe merkatoja asnjëherë nuk i bën dëm askujt, përkundrazi. Por, është stafi dhe presidenti që zgjedhin se kush do të vijë. Të shpresojmë që të afruarit të bëjnë mirë dhe të na japin një dorë në rrugëtimin tonë”, mbylli prononcimin Bekim Rexhepi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"