Pengu i Deliallisit: Sikur ta kisha këtë skuadër dy muaj më parë…
Erzeni la kryeqytetin të heshtur pas fitores shumë të rëndësishme, e me rezultat të ngushtë 0-1 kundër Tiranës në transfertën e së premtes. Trajneri Alfred Deliallisi, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ka përgëzuar skuadrën e tij, duke i cilësuar si potencialisht të ndërtuar për të arritur më tepër, e arma më e fortë që duhet të përdorin është moskalimi në eufori dhe se objektivi është i qartë, vlerësimi i kundërshtarëve një nga një.
Alfred, jeni sigurisht një trajner i ri, por a është kjo fitorja më e rëndësishme në karrierën tuaj, pasi mundni Tiranën brenda në shtëpinë e tyre?
E kam menduar shpeshherë që janë të paktë në moshën time që t’i jepet ky lloj besimi nga drejtuesit, por besoj që i kam shpërblyer deri më tani. Kjo fitore ka shumë rëndësi, sidomos kur jemi ne që e vulosëm atë, dhe që mbetet në historikun tonë të përballjeve me Tiranën. Ama duhet të ulim kokën. Të mos kalojmë në eufori, as unë dhe as ekipi, pasi do të ishte fatale. Me këmbë në tokë, duke punuar që të përmirësohemi dita-ditës.
Përpos rezultatit, si u duk loja e ekipit tuaj?
Ekipi m’u përgjigj, duke i zbatuar pothuajse të gjitha komandat. E kam thënë dhe nëpër intervista të tjera, që nëse lojtarët zbatojnë detyrat që unë u kërkoj, atëherë për çdo lloj rezultati jam përgjegjës. Dhe kurrë nuk do të dalë nga goja ime që “x” lojtar e ka fajin. Gjithmonë përgjegjësia do të jetë imja. Ky ka qenë dhe parimi në nisje të karrierës sime. Ata ishin në perfeksion dhe i komplimentoj djemtë. Urime. Fitorja u dedikohet vetëm atyre.
Cili është çelësi i suksesit profesor, për këtë skuadër që gjatë gjithë 90 minutave tregon shpirt në fushë dhe nuk dorëzohet?
Është një grup i jashtëzakonshëm, me të cilin kemi krijuar harmoni e marrëdhënie të ngushta e të shkëlqyera me njëri-tjetrin, si brenda dhe jashtë fushës. Ata stërviten në maksimum të limiteve të tyre, gjë e cila duhet vënë në dukje e vlerësuar. Por e kam një peng, të cilin po e përsëris. Që këto lojtarë duhet t’i kisha një ose dy muaj më parë gjatë fazës përgatitore. Më besoni do të ishin 30- 40% më mirë në cilësitë e tyre fizike, e që do të bënte të mundur shkuarjen më lart në cilësinë e lojës.
Profesor, ku do ta shikojmë Erzenin në fund të sezonit?
Objektiva specifike të klubit, si fakti duhet të jemi në vendin e katërt apo nuk duhet të biem nga kategoria, nuk kemi vendosur. Ajo që ne po bëjmë është marrja e ndeshjeve një nga një, pra duke i vlerësuar kundërshtarët të përveçëm. Ne e dimë realitetin se ku ndodhemi, vështirësitë që kemi, por edhe forcën. Duhet të qëndrojmë të fortë e të bashkuar. E preka pak më sipër. Jo euforik. Kaplimi nga ajo do të ishte gjëja më negative e mundshme.
Çfarë do t’i thoshit portierit Lika, pasi mund ta kishit rezultatin 0-2 ose 0-3, bazuar në rastet e krijuara?
Ai është legjenda e Tiranës. I Shqipërisë. Me gjithë respektin, unë kam luajtur në moshën 18- vjeçare përballë portierit Lika, të cilit i kam shënuar një gol në “Niko Dovana”, në 2011-ën mos gaboj. Është ikonë. Komplimente. Mendoj se mund të luajë për 1 ose 2 vite të tjera me atë që po tregon në fushë.
ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"