Pengohet nga një fans, çiklisiti i njohur braktis Turin e Francës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2018 | 15:23

Pengohet nga një fans, çiklisiti i njohur braktis Turin e Francës

Nuk ishte një motor i policisë, siç u përfol fillimisht shkaku i rrëzimit të Vinçenco Nibalit. Italiani u pengua nga një tifoz, i cili tentoi t’i bënte një fotografi, por që aparati fotografik iu ngatërrua në rrotën e biçikletës.

nibali

Pasojat ishin vërtet të rënda, pasi Nibali përfundoi në tokë me një frakturë në vertebër dhe tashmë i jep lamtumirën këtij edicioni të Turit të Francës. E gjithë kjo situatë ndodhi vetëm katër kilometra larg finishit të etapës së 12-të. Italiani, që në vitin 2014 triumfoi në Francë, shikohej si një nga pretendentët kryesorë këtë sezon, por që fatkeqësisht nuk do të mund ta vazhdojë më garën.

nibal3

Fillimisht u mendua se Nibali u pengua nga një motor shoqërues i policisë, por një video amatore tregon qartë skenën ku italiani pengohet nga një fans, i cili përpiqet ta fotografojë, ku për fat të keq, aparati i ngatërrohet në rrotën e pasme të biçikletës, duke e rrëzuar çiklistin në tokë.

Është vetë Nibali, ai që bën me dije tërheqjen nga eventi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku deklaron: “Përshëndetje të gjithëve. Sapo jam rikthyer në hotel dhe fatkeqësisht diagnoza mjekësore konfirmoi frakturën në vertebër. Tashmë do të kthehem në shtëpi për të vazhduar me fazën e rikuperimit.

nibali2

Ju falënderoj për mbështetjen që më keni dhënë. Do të shihemi në garat e ardhshme”, shkruan çiklisti sicilian. Ndërkohë, italianët duken shumë të pakënaqur me organizatorët e turit, pasi nuk ka pasur asnjë helikopter në dispozicion, e për këtë arsye Nibali është transportuar për 60 kilometra me ambulancë deri në spitalin që ndodhet në Grënoblë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"