Pendohet Joakim Lëv, rikthen yllin e Bajernit te Gjermania

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 23:54

Pendohet Joakim Lëv, rikthen yllin e Bajernit te Gjermania

Një lajm i mirë vjen për mesfushorin e Bajernit, Tomas Myler, por jo vetëm për të. Sipas informacioneve të “Bild”, trajneri Joakim Lëv ka ndryshuar mendim për lojtarin dhe në maj do të marrë një vendim për rikthimin e Mylerit në skuadrën kombëtare të Gjermanisë.

joachim-low-thomas-muller-germany-2018_7bk23qocelon1kw8beimut0bm

Momentalisht lojtari sapo kaloi COVID-in dhe është rikthyer në stërvitje me skuadrën e Bajernit. Presioni mediatik dhe i tifozëve në Gjermani për rikthimin e Mylerit në skuadër ishte shumë i madh. Kjo, pasi lojtari po kalon (deri para infektimit) një moment shumë të mirë në Mynih me skuadrën bavareze.

Në sezonet e fundit ai jo vetëm ka fituar shumë trofe, por ka qenë edhe lojtari me më shumë asiste në skuadrën kampione të Europës në sezonet e fundit. Duket se Lëv është i vendosur për t’u besuar sërish cilësive dhe eksperiencës së Mylerit, i cili ka fituar Botërorin me skuadrën gjermane në Brazil 2014.

PENDIMI

Botërori në Rusi ishte një nga turnetë më të dobët të kombëtares gjermane, teksa nuk arriti dot të kualifikohej nga faza e grupeve. Joakim Lëv vendosi disa muaj më pas për të bërë një revolucion në skuadër duke marrë një vendim drastik. Tomas Myler, Mats Humes dhe Zherom Boateng nuk do të ishin më pjesë e kombëtares.

Një lajm shokues për të gjithë duke parë cilësitë e këtyre lojtarëve të cilët deri në atë kohë kishin dhënë shumë për fanellën e Gjermanisë. Lëv e justifikoi përjashtimin e këtyre lojtarëve nga kombëtarja me pretekstin që nuk ishin më në planet e tij dhe nuk mund të luanin në skemat e tij.

Por, koha vërtetoi se skuadra vuajti shumë mungesën e këtyre dy lojtarëve. Në mbrojtje Humels dhe Boateng do të kishin qenë një armë më shumë dhe ndoshta mund të kishin shmangur humbjen turpëruese me Spanjën. Ndërkohë që Myler do të kishte qenë lojtari ideal për të ngritur moralin jashtë dhe brenda fushe. Rikthimi i Tomasit në kombëtare është një tregues i qartë që Lëv është penduar për mospërfshirjen e tij në skuadër.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"