Penalltia e Vllaznisë akoma nuk harrohet në Vlorë, Hoxhaj: Skandaloze, Sidorenko shkaktoi faull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2020 | 20:15

Penalltia e Vllaznisë akoma nuk harrohet në Vlorë, Hoxhaj: Skandaloze, Sidorenko shkaktoi faull

Penalltia e prishi ndeshjen mes Flamurtarit dhe Vllaznisë. Kështu shprehet në një intervistë për “Panorama Sport” Ardit Hoxhaj. Vlonjati mendon se pas atij momenti ekipi ra moralisht. Ndihet i habitur se si gjyqtari e dha 11- metërsh në një kohë që, sipas Hoxhajt, lojtari kundërshtar ka shkelur këmbën e tij. Thotë se gjykimi edhe të mërkurën bëri të njëjtën gjë si në Durrës përpara se të ndërpritej kampionati, me penallti skandaloze. Sulmuesi e shikon të vështirë ndeshjen e radhës me Skënderbeun, pasi kundërshtari, sipas tij, nuk bëri asnjë gabim në takimin e fundit me Partizanin.
FLAMURTARI-VLLAZNIA
Hoxhaj, çfarë ndodhi në ndeshjen me Vllazninë, ku u mundët 1-3?
Takimi me Vllazninë do të thosha se ishte një ndeshje e ekuilibruar deri në momentin e penalltisë. Mbas atij momenti ekipi ra moralisht. Në ato kushte edhe lodhja bën të vetën. Në vijim nuk gjetëm dot forcë që të reagonim.

Çfarë kontestoni te momenti i penalltisë?
Te momenti i penalltisë unë kam qenë duke e ruajtur lojtarin e Vllaznisë. Po ta shikoni edhe në video, ai ka shkelur mbi këmbën time. Sipas pamjeve që duken mjaft qartë, e ka bërë ai faullin. Unë mbeta i shtangur kur u dha 11-metërsh.

Ju thoni që sërish arbitrimi është tendencioz ndaj Flamurtarit. U frikësoheni edhe ndeshjeve të tjera?
Nuk e di, por po të shikosh ndeshjen para se të mbyllej kampionati, ishte një penallti skandaloze në Durrës. Fillon kampionati dhe jepet prapë një penallti skandaloze në Vlorë. Nuk e di si ta gjykoj këtë gjë, por edhe gabimet njerëzore kanë një kufi.

Shpresoni te një rezultat pozitiv në ndeshjen me Skënderbeun?
Shpresojmë shumë te një rezultat pozitiv me Skënderbeun pasi na bashkohen edhe katër lojtarë të tjerë. Sukaj, Nebihu, Gocaj dhe Haruni besoj se do të jenë të gatshëm. Kështu që, grupi do të jetë më i plotë dhe do të kemi më shumë alternativa.
Skenderbeu grumbullimi
Çfarë i druheni më shumë te kundërshtari i radhës?
Kundërshtari ka një ekip shumë të mirë me lojtarë cilësorë. Skënderbeu ka edhe një trajner si Ilir Daja që di t’u marrë maksimumin lojtarëve. Kam parë ndeshjen me Partizanin dhe ishte e vështirë të gjeje gabime te Skënderbeu ose pika të dobëta. Do të kemi para një ndeshje shumë të vështirë, por natyrisht do të motivohemi që të bëjmë maksimumin tonë, pse jo, për një rezultat pozitiv.

Do të qëndronit te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë?
E kam thënë dhe e përsëris sërish, unë do të qëndroj te Flamurtari nëse do të ketë një projekt serioz. Të jem realist, e mendoj se do të dalim shumë shpejt nga kjo situatë. Them se do të vijnë ditë të mira për Flamurtarin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"