Penalltia e Rezit shpëton Erzenin pretendent në fushën e Ilirisë. Shijakasit vuajnë në “Redi Maloku”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2019 | 9:40

Penalltia e Rezit shpëton Erzenin pretendent në fushën e Ilirisë. Shijakasit vuajnë në “Redi Maloku”

Iliria zhvilloi një tjetër miqësore ditën e djeshme, teksa u përball me Erzenin në stadiumin e saj, “Redi Maloku”.

erzenii

Ndeshja u mbyll në barazim 1-1, me vendësit që shënuan të parët me Bakallin, ndërsa miqtë nga Shijaku arritën të barazonin me anë të Rezit nga pika e bardhë e penalltisë.

NDESHJA – Erzeni zbriti në fushë me formacionin më të mirë, ndërsa tek Iliria disa nga lojtarët titullarë nuk u aktivizuan për arsye se tekniku Sala kishte si synim të shikonte lojtarët në provë. Pavarësisht kësaj, vendësit ishin ata që dhanë shkëndijën e parë me Xhynertin, i cili tenton portën, por portieri mik i mohon golin. Shijakasit u kundërpërgjigjën me Rezin dhe Xhixhiuan, por Shera ishte i pakalueshëm.

Loja nuk kishte ritëm, megjithatë rastet e pastra nuk munguan. Masha tentoi portën me një goditje me kokë në brendësi të zonës, por sfera kaloi ngjitur me shtyllën pingule. Pavarësisht rasteve sporadike, fraksioni i parë u mbyll me shifrat e bardha, 0-0, ndërsa Gjokeja kreu një zëvendësim të detyruar, pas një përplasjeje me Xhixhiuan. E dyta nisi me aktivizimin e lojtarëve të rinj, por me më shumë ritëm dhe dëshirë për të shënuar. Iliria e kërcënoi disa herë portën e Erzenit dhe pas rasteve të Lamës dhe Brahilikës, Ledio Bakalli, i futur në lojë në pjesën e dytë, pas një inkursioni nga e majta e sulmit, goditi saktë diagonalisht dhe topi përfundon në rrjetë. Miqtë e rritën lojën, por goli i barazimit do të vinte vetëm në minutën e 86-të, me penallti.

Troplini u pengua në zonë dhe kryesori Burgu sinjalizoi për 11-metërsh. Nga pika e bardhë gjuajti Rezi, i cili nuk gaboi, duke baraspeshuar gjithçka. Ishte penalltia e tretë e gjuajtur nga Rezi në ndeshje miqësore, por ishte hera e parë që ai u tregua i saktë. Në minutat e mbetura nuk pati raste për shënim dhe kjo ndeshje miqësore u mbyll me shifrat 1-1. Gjatë kësaj periudhe, të dyja skuadrat kanë luajtur shumë ndeshje testuese, pasi ndihmojnë trajnerët për të parë më mirë gjendjen e të gjithë futbollistëve. Shijakasit kanë pretendime për sezonin e ri, jo më kot kanë bërë shumë afrime gjatë merkatos verore.

Begeja: Nuk ishim në nivelin e duhur

Trajneri i Erzenit, Gentian Begeja, pas përfundimit të ndeshjes me Ilirinë, u shpreh se skuadra nuk ishte në atë nivel që ai priste: “Në ndryshim nga miqësoret e kaluara, kjo ndeshje nuk ishte në atë nivel që ne kërkojmë. Megjithatë, duhet thënë se kjo vjen edhe si pasojë e ngarkesave. Merkatoja? Pak a shumë, kjo është skuadra, por nëse do të kemi ndonjë lojtar të mirë, patjetër që do ta marrim. Objektivi? Kemi ndërtuar një skuadër me disa elementë cilësorë dhe me eksperiencë për të qenë pretendentët kryesorë të grupit, pasi objektivi ynë këtë sezon është rikthimi në Superiore”, tha trajneri Begeja.

Sala: Kemi shumë punë për të bërë

Nga ana e tij, tekniku i fushëkrujasve, Fatmir Sala, u shpreh se skuadra e tij ka shumë boshllëqe, por pret që deri në nisje të sezonit gjërat të përmirësohen. “Kjo është skuadra, nuk e shoh rezultatin, por lojën. Na duhet akoma shumë punë për të qenë aty ku duhet. Skuadra ende nuk është plotësuar përfundimisht dhe po presim të na vijnë disa lojtarë të tjerë. Këtë sezon do të jetë ndryshe dhe për ne do të jetë më e vështirë për të arritur objektivin, ndaj presim që sa më shpejt ta kompletojmë skuadrën, në mënyrë që të kemi kohën e mjaftueshme për t’i përshtatur lojtarët aktualë me ata që do të afrohen”, tha Sala

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"