Penalltia e humbur, Rexhinaldo: Do “vdes” në fushë për Cungun, Nexhipi më dërgoi mesazh (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2018 | 21:23

Penalltia e humbur, Rexhinaldo: Do “vdes” në fushë për Cungun, Nexhipi më dërgoi mesazh (E PLOTË)

Arturo Rexhinaldo ishte blerja e bujshme e Kukësit në fund të merkatos verore. Deri diku, ai po e tregon që besimi dhe paratë e shpenzuara prej presidentit Safet Gjici nuk kanë shkuar dëm. Ai ka arritur të shënojë deri tani 7 gola me Kukësin, 5 në kampionat e dy ndaj Torpedos në ndeshjen e dytë të turit të tretë eliminator në Europa League. Por, sërish ato nuk janë shumë.

rexhinaldo qan

Humbja e penalltisë ndaj Tiranës e ka mërzitur shumë sulmuesin, i cili premton kthesën. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 29- vjeçari skanon situatën te verilindorët dhe bën premtime të mëdha. Për të ardhmen e tij, ai thekson se tani do ta shohin Rexhinaldon e vërtetë. Sulmuesi është i gatshëm të japë “shpirtin në fushë” për ekipin.

rexhinaldo

Rexhinado, u mërzitët shumë dhe qatë që nuk shënuat penalltinë, si ndodhi?

Është e vërtetë që e humba penalltinë. Nuk pata shans dhe penalltia në njëfarë mënyre është shans. Është njëmbëdhjetëmetërshi i parë që humbas në karrierën time. Është shumë e vështirë për portierët të presin penalltitë e mia. Ja që ndodh dhe që mund të gabosh, një gjë e tillë u ka ndodhur dhe lojtarëve më të mirë në botë. Falënderoj shumë trajnerin që ka besim tek unë dhe më ka zgjedhur mua për të gjuajtur penalltitë.

Ndieni keqardhje që nuk realizuat dot gol dhe për shkak të tij Kukësi nuk mori dot 3 pikët?

Natyrisht që më vjen keq, pasi kush është ai sulmues që nuk do të shënojë gol, por që është pjesë e lojës dhe mosrealizimi dhe mund t’i ndodhë çdokujt. Dëshira ishte e madhe, pasi do kishim kaluar në avantazh dhe me shumë gjasa do merrnim tri pikët. Do tentoj në çdo takim të shënoj, ashtu siç bëj gjithmonë.

Keni stopuar te 5 golat, çfarë prisni tani?

Po kam shënuar 5 gola, por nuk do të thotë që mbetem po kaq. Jam i bindur që do shënoj shumë më tepër gola, të ndihmoj skuadrën time të mrekullueshme për të arritur objektivat. Qëllimi im personal është të shpallem shënuesi më i mirë dhe të fitoj “Këpucën e Artë”, e së bashku me klubin të arrijmë objektivat. E di që është e vështirë të luftosh për të qenë kryegolashënues, por unë do ta bëj dhe shpresoj shumë se do ia dal.

Keni presion për rezultatet?

Presioni për rezultatet është normal të jetë prezent kur mendon dhe je pjesë e një klubi të madh si Kukësi, që gjithmonë ka për qëllim të fitojë. Presioni është pjesë e punës.

Drejtuesit presin shumë nga ju, po ju çfarë prisni nga vetja?

E di që klubi pret shumë nga unë dhe bëjnë shumë mirë. Dhe unë u premtoj atyre që do të shikoni Rexhinaldon në vijim. E di që situata nuk është shumë e mirë për ne, por unë dhe gjithë shokët e mi po punojmë shumë që ta ndryshojmë këtë gjë dhe ka për të ndodhur shumë shpejt. Kam shumë besim te vetja, te kualiteti im, te besimi dhe forca e shokëve të ekipit. Të gjithë bashkë do ia dalim. Sa për mua, iu them të gjithëve që priteni Rexhinaldon.

Rexhinaldo 3

Kukësi krijon shumë raste për gol, por vuan dhe gabon në shënim, pse?

Sa herë luaj, mundohem në të gjitha mënyrat ta ndihmoj ekipin, duke shënuar ose jo. Luaj i avancuar në sulm e çdoherë tentoj e dëshiroj të shënoj, por nuk është gjithmonë e mundur të shënosh ose nuk të jepet gjithmonë mundësia. E di që kam disa ndeshje që nuk po arrij të shënoj, por golat që do të vijnë, janë çështje kohe.

Unë do përpiqem si gjithmonë maksimalisht dhe jam i bindur që do ia dal. E di që po kritikohem për këtë gjë, por është thjesht çështje kohe zhbllokimi. Që nga ndeshje e radhës do bëj të njëjtën gjë, do përpiqem me çdo mënyrë të shënoj, të ndihmoj ekipin që të rikthejmë situatën e mirë në favorin tonë. Ky është qëllimi im. Shënimi i golave është qëllimi kryesor në jetën time sportive.

Si e shikoni ndeshjen me Teutën. U druheni?

Nuk i druhemi askujt. Do futemi në fushë për të bërë detyrën tonë. Ndaj çdo ekipi kërkojmë vetëm fitoren.

Po rivalët si i shikoni, Partizani është 8 pikë më shumë se Kukësi?

Partizani vërtet ka 8 pikë më shumë se ne aktualisht, por kampionati është shumë i gjatë. Ne duhet të bëjmë tonën, të marrim pikët maksimale në çdo javë dhe pastaj jam i bindur që vendet në tabelë do të ndryshojnë, pasi dhe ata do të gabojnë. Janë vetëm tri ndeshje, ndaj unë jam i sigurt që çdo gjë do të ndryshojë. Nuk është vetëm Partizani, po për shumë ekipe do ndryshojë renditja. Vendi që ne kemi tani nuk është real, Kukësi është një ekip që për atë çka është, i takon koka e tabelës. Premtoj që shumëçka do të ndryshojë shpejt për ne.

Rexhinaldo55

Mendoni se keni më shanse për titull?

Ne do luftojmë deri në sekondën e fundit për të fituar titullin. Natyrisht që gjithçka është e hapur.

Keni ndonjë premtim ose ndonjë gjë për të thënë për dikë?

Së fundmi, falënderoj drejtorin Nexhipi, i cili më ka ndihmuar shumë dhe madje më ka dërguar një mesazh inkurajues pas ndeshjes. Falënderoj trajnerin tim për besimin që ka tek unë dhe premtoj të vdes në fushë për të. Falënderoj tifozët e Kukësit për ndihmën e tyre dhe premtoj t’u jap gëzim. Për presidentin premtoj të nderoj kontratën time me këtë klub të madh, të cilët presin Rexhinaldon më të mirë.

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"