Penalltia e humbur dhe kartoni i kuq, Higuain: Më falni, por nuk jam robot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2018 | 9:24

Penalltia e humbur dhe kartoni i kuq, Higuain: Më falni, por nuk jam robot

Mbrëmja e Gonzalo Higuainit nuk mbaroi në minutën e 83-të kur doli nga fusha me karton të kuq. Argjentinasi rreth mesnatës u paraqit përpara mediave për të komentuar gjithçka ndodhi para dhe gjatë sfidës me Juven.

Higuain

Cila ishte arsyeja e atij kartoni?

Më falni, por unë nuk jam robot, jam lojtar. Mendoj se Benatia bëri faull ndaj meje. Arbitri e mendoi ndryshe dhe më dha karton të verdhë. Sapo reagova, më dha edhe të kuqin. Dua t’i kërkoj falje skuadrës, trajnerit dhe tifozëve për reagimin tim. Arbitri e di se çfarë i thashë, e ndoshta ndonjëherë ata duhet të kuptojnë ndeshjet, situatat dhe emocionet. Vendimi ishte ai që ishte, marr përgjegjësinë e veprimit tim për të cilin kërkoj edhe falje

A vazhdoni të jeni i lidhur me shokët tuaj te Juvja?

Të gjithë e dinë se ç’kam bërë te Juvja. Vendimi për t’u larguar nuk ishte i imi. Me shokët kam pasur një raport fantastik. Më vjen mirë që të gjithë m’u afruan për të më qetësuar, çka flet qartë edhe për mënyrën sesi jam sjellë me ata jashtë fushës. Janë vetë futbollistë dhe e dinë sesi mund të ndihesha, por nuk dua të justifikohem. Ishte një ndeshje që nuk shkoi si duhet, veçanërisht për mua.

Përse kërkuat me patjetër ta godisnit ju 11-metërshin?

Iu drejtova pikës së bardhë me idenë për ta goditur si zakonisht. Mendova se do të priste lëvizjen time, por Shezni u hodh përpara kohe, ndaj edhe ma priti. Penalltitë i gabon ai që ka kurajë t’i godasë.

Si do e kaloni këtë moment?

Duhet të shohim përpara, jo vetëm unë, por e gjithë skuadra, madje me kokën lart, sepse i bëmë ballë një ekipi të madh. Jam një njeri përveç se futbollist dhe në fushë ndikojnë shumë faktorë. Duhet të jem më i qetë, e di, por kam qenë kështu gjithmonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"