“Penallti inekzistente”, flet Isufi: Luftëtarin po e ndëshkojnë, nuk do i hapim rrugë askujt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2020 | 15:20

“Penallti inekzistente”, flet Isufi: Luftëtarin po e ndëshkojnë, nuk do i hapim rrugë askujt

Enes Isufi e ka me gjykimin. Mbrojtësi ndien keqardhje që javë pas jave, Luftëtarit i mungojnë pikë prej vendimeve të gabuara të arbitrave. Teksa flet për “Panorama Sport”, shkodrani sqaron se skuadra meritonte fitoren kundër Bylisit. “Nuk e kuptojmë pse na shohin me këtë sy. Luftëtari nuk është ekip i vogël që të shkelet me këmbë. Penalltitë inekzistente na kanë ndëshkuar, duke na mohuar shumë pikë. Këtë e përjetuam edhe me Bylisin.ENES ISUFI

Kundërshtarin e kishim vlerësuar maksimalisht dhe këtë e treguam në fushë. Meritonim më shumë se një pikë, pasi bëmë një ndeshje pozitive. Gjithsesi, nuk do të na ulet ritmi deri në fund”, u shpreh fillimisht 19-vjeçari. Java e fundit e fazës së tretë i rezervon Luftëtarit një përballje delikate. Kundërshtar kanë Kukësin që ka synime madhore, ndaj të besuarit e Neritan Novit do të marrin të gjitha masat që t’ia dalin mbanë. “Ndeshja e radhës me Kukësin pa dyshim që është shumë e vështirë. E dimë forcën e kundërshtarit dhe për këtë do përgatitemi seriozisht këto ditë.

Jo vetëm në këtë ndeshje, por deri në fund të kampionatit nuk do i hapim rrugë asnjë kundërshtari. I vetmi shqetësim për ne, mbetet gjykimi. Kemi humbur shumë pikë gjatë kampionatit prej tyre. Personalisht mendoj se duhet të jap më shumë nga vetja për të respektuar deri në fund kontratën që kam me Luftëtarin. Kam pasur oferta nga ekipe të Superiores, por është herët për të folur.Luftetari ndaj Skenderbeut

Më duhet të jap më të mirën për skuadrën, për tifozët, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për mbështetjen gjatë gjithë sezonit, pavarësisht rezultateve”, përfundoi Enes Isufi. Sakaq, stafi teknik do të ketë një ekip më të plotë kundër Kukësit. Nuk ka pezullime, ndërsa premtues duket rikuperimi i mbrojtësit Dragoshi.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"