Pejiç: Milinkoviç ka nevojë për kohë, Alijev ta tregojë në fushë që është zëvendësuesi im

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2017 | 17:07

Pejiç: Milinkoviç ka nevojë për kohë, Alijev ta tregojë në fushë që është zëvendësuesi im

Ish-bomberi i Kukësit, Pero Pejiç, autori i 29 golave për verilindorët në kampionatet e fundit, i cili ishte promotori kryesor për fitimin e titullit, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” skanon ekipin aktual. Pejiç rrëfen pse u largua nga Kukësi dhe si e shikon skuadrën e këtij sezoni, aventurën në Kroaci, gabimet e drejtuesve, marrëdhëniet me ata dhe me shokët dhe ish-trajnerin Gjoka.

Emini - Pejic - Dvornekovic

Pejiç flet dhe për prurjet e reja, e në veçanti Alijev, të cilin thotë se nuk e njeh, por i uron suksese si zëvendësuesi i tij. Ai ka edhe një këshillë për Gurin. Në fund, kroati pohoi se pretendentë për titull janë rivalët e vjetshëm të Kukësit, plus edhe Flamurtari.

Pero, si po ju shkon aventura në Kroaci, duke ditur që keni kohë që jeni larguar nga futbolli i vendlindjes dhe a jeni i kënaqur aty?

Jam i lumtur që jam kthyer në Kroaci, në shtëpinë time. Unë jam vetëm 45 minuta larg nga familja ime në Zagreb. Gjithçka këtu është shumë mirë, jam kthyer mbas 10 vitesh dhe po punojmë fort së bashku me ekipin tim për të arritur objektivat e klubit për këtë sezon.

Ju konsideruan si të padobishëm për shkak të moshës, por ju shkuat në një ligë më të fortë se ajo e Shqipërisë, ç’përgjigje keni për këtë?

Unë jam 34 vjeç dhe këtu në Kroaci nuk të shikojnë sa vjeç je, por çfarë jep në fushë. Kjo është e rëndësishme, jo mosha, luan apo nuk luan dot. Nëse jep maksimumin dhe shënon gola, çfarë të nevojitet më shumë?! Liga është vërtet e fortë, por unë jam adaptuar shpejt dhe mirë dhe nuk kam asnjë problem. Sa për njerëzit që mund të kenë thënë këto gjëra, unë s’kam asgjë për t’u thënë me gojë, gjithçka për mua e tregoj në fusha dhe me gola.

Largimi juaj dhe i Eminit duket se e ka rënduar situatën e sulmit, ku në 3 ndeshje mezi kanë shënuar një gol, edhe atë me penallti. E keni ndjekur ecurinë aktuale të Kukësit?

Po, e kam ndjekur Kukësin në çdo ndeshje. Humbën Superkupën, fituan me Kamzën në kampionat dhe humbën ndeshjen e parë të Kupës. Unë dhe Emini u larguam, ndërsa Kukësi humbi dy sulmues shumë të mirë, të cilët shënuan shumë gola së bashku. Largimi ynë krijoi një gropë të madhe në ekip.

Por nuk jemi vetëm ne dy sulmuesit, pasi gropa është më e madhe, pasi u larguan edhe Dvornenkoviç, Karioka, Lena dhe trajneri Gjoka. Është shumë e vështirë ta nisësh një sezon të ri duke humbur dhe pa pesë lojtarë titullarë mjaft të rëndësishëm. Por ky është vendim i klubit dhe ata e dinë më mirë punën e tyre.

Vazhdoni të ndieni keqardhje nga mënyra se si u larguat nga Kukësi? Mendoni se mund të ketë ndikuar dhe trajneri, që ndoshta nuk ju ka pasur në plane, apo ishte vendim i presidentit Gjici?

Trajneri Gjoka donte që unë të isha pjesë e Kukësit edhe këtë sezon, madje ai donte që të kishte të njëjtën ekip për sezonin e ri, por edhe trajneri u largua. Në futboll nuk ka asgjë të garantuar, papritur mund të ndryshohet rrjedha direkt. Unë dëshiroja të qëndroja te Kukësi, por nuk gjeta gjuhën e përbashkët me presidentin Gjici.

Mora ofertë nga Kroacia dhe e pranova direkt, sepse u ktheva në shtëpi. Sa për trajnerin Milinkoviç, besoj se dhe ai ka dashur që të qëndroja në ekip, por nuk ramë dakord me presidentin.

Sa shanse ka Kukësi këtë vit për të fituar titullin, apo nuk ka fare?

Nga Kukësi u larguan 5 lojtarë titullarë dhe shumë të tjerë. Nuk është e lehtë që të marrësh 5 futbollistë të tjerë dhe t’i zëvendësosh direkt, sepse edhe lojtarët e rinj duan kohë që të përshtaten.

Gjithashtu, trajneri Gjoka kishte një mënyrë tjetër loje, ndërsa trajneri Milinkoviç ka mënyrën dhe filozofinë e tij të lojës dhe i nevojitet kohë që skuadra të përthithë dhe zbatojë idetë e tij. Ndaj këtij ekipi i duhet kohë. Sa për shanset për titull, unë nuk mund të them që tani ka apo nuk ka. Është shumë herët ta thuash. Tani është vetëm fillimi, çdo gjë do duket në vazhdimësi.

Si e shikoni ndeshjen e sotme mes Partizanit e Kukësit dhe a mund të marrin pikë kampionët në Tiranë?

Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi Partizani ka humbur 2-0 ndaj Laçit në shtëpi dhe në këtë takim i nevojitet fitorja. E njëjta gjë është edhe për Kukësin, ata kanë humbur Superkupën e për ta ndryshuar situatën në favor të tyre i duhet të fitojnë këtë përballje. Çdo gjë mund të ndodhë, kjo ka për të qenë një sfidë shumë interesante.

Shameti ka thënë që Guri mund të jetë pasuesi ideal për Kukësin për karakteristikat që ka, ju si mendoni?

Guri është lojtar i mirë, është teknik, ka forcë dhe energji, është djalë i ri, por ai duhet të punojë fort dhe të besojë në veten e tij.

Vendin tuaj te Kukësi e ka zënë Rauf Alijev, e njihni këtë sulmues dhe ç’mendim keni për të në aspektin e lojës?

Kam parë gazetat që kanë shkruar se Alijev do të më zëvendësojë mua. Realisht unë nuk e njoh këtë lojtar, nuk e kam parë asnjëherë më parë të luajë. Përveç asaj që kam lexuar në gazeta, që thoshin se është sulmues i mirë dhe është në rolin tim te Kukësi, nuk di më shumë. Nëse ai është i mirë, këtë duhet ta tregojë në fushë. Nuk mund të jap ndonjë mendim për të. I uroj suksese!

Kukësi ka ndryshuar shumë, janë larguar disa lojtarë dhe kanë ardhur disa të tjerë si Bakaj, Alijev, Shtubina, Frashëri etj. Si ju duket merkatoja?

Unë nuk e kuptoj largimin e madh të lojtarëve nga Kukësi, kur ata fituan gjithçka. Si mund të largohen lojtarët kampionë dhe trajneri që fituan për herë të parë titullin në historinë e klubit?! Opinioni im është që presidenti duhet të kishte mbajtur atë ekip, nëse donte të luftonte dhe të fitonte sërish kampionatin, pastaj do bënte mirë të afronte Bakajn, Shtubinën etj., që janë lojtarë shumë të mirë dhe do ta forconin më shumë Kukësin.

Nga ndryshon ky ekip nga ai i vitit të shkuar?

Kukësi aktual është i ndryshëm nga ai i kaluari, pasi ka ndryshuar shumë. Vetëm portieri dhe mbrojtja janë të njëjtë, ndërsa pjesa tjetër ka ndryshuar shumë. Akoma s’e di arsyen, kur ne si sulm shënuam më shumë gola se disa ekipe bashkë. Gjithsesi, respektoj vendimet dhe politikat e klubit.

Sipas jush, kush është pretendent kryesor për titull në Shqipëri?

Skënderbeu, Partizani dhe Kukësi janë pretendent kryesor për titull, ashtu si dhe vjet, por këtë sezon u është bashkuar edhe Flamurtari, që ka bërë një ekip shumë të mirë. Duhet të shikojmë nëse vlonjatët do të jenë një pretendent serioz për të luftuar për titullin.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"