Pejiç mban pezull Kastriotin, stadiumi ende në “ajër”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2018 | 19:48

Pejiç mban pezull Kastriotin, stadiumi ende në “ajër”

Kastrioti ka udhëtuar drejt Pukës që prej së hënës, aty ku do të zhvillohen dy javët e para të fazës përgatitore. Me të mbyllur këtë etapë, do të zhvendosen për dy javë të tjera jashtë vendit, destinacion i cili ende nuk është bërë publik. Dita e djeshme ka nisur me seancën e paradites, të zhvilluar në stadiumin “Ismail Xhemali”, ku kryesisht janë zhvilluar vrapime me ritëm të lartë.

kastrioti

Ndërsa pasdite, stafi teknik u fokusua kryesisht tek ushtrimet me top, ushtrime force, por edhe vendosje taktike dhe punim teknikisht me repartet e mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit e në fund lojë. Sa i takon merkatos, e djeshmja ka qenë ditë e qetë, por krutanët vazhdojnë të jenë në kërkim të ndonjë afrimi tjetër cilësor. Sa u takon bisedimeve me Pero Pejiç, mësohet se stafi teknik është në pritje të përgjigjes së tij, duke qenë se oferta zyrtare prej ditësh ka mbërritur te sulmuesi, i cili aktualisht është lojtar i lirë. Ndërsa për lojtarët malazezë dhe kosovarin Mulaj, ende nuk ka ndonjë vendim për bashkimin e tyre me skuadrën.

STADIUMI – Ende nuk dihet se ku do t’i luajë Kastrioti ndeshjet si pritëse, duke qenë se stadiumi aktual nuk i plotëson kriteret e vendosura nga FSHF-ja. Koha për ndërhyrje në stadium duket e pamjaftueshme për të kryer punimet e kërkuara dhe sidomos kur dihet që kampionati nis pas një muaji. Mirëpo, Bashkia e Krujës është duke parë si mundësi, që aktualisht të zgjerojnë vetëm tribunën qendrore, dhomat e zhveshjes dhe sektorin e medias. Dhe nëse ia dalin në kohë, krutanët mund t’i zhvillojnë ndeshjet në shtëpi, duke qenë se fusha i plotëson kriteret. Sipas tyre, koha është e mjaftueshme për këtë pjesë dhe më pas gradualisht të zbatohet i gjithë projekti.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"