Pejiç futet në lëvizje, Kukësi në merkato për… mbrojtës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2021 | 9:42

Pejiç futet në lëvizje, Kukësi në merkato për… mbrojtës

Kukësi e mbylli kam pionatin në vendin e dytë, duke qenë një nga surprizat më të këndshme të këtij sezoni, pasi të paktë ishin ata që besonin se me aq shumë lëvizje sa bënë në merkato, verilindorët do të ishin në këto nivele.

KUKESI

Mirëpo, trajneri italian, Diego Longo, edhe pse gjeti një skuadër të formuar, ia doli që të kompozojë një ekip që të shpalosë një futboll cilësor dhe të bukur, duke marrë në fund edhe rezultatet e duhura.

Megjithatë, tani që kampionati u mbyll, sytë janë hedhur nga merkatoja dhe verilindorët pritet të bëjnë ndërhyrjet e nevojshme në ato reparte që kanë çaluar në 15 ndeshjet e para.

PROBLEMET – Për të evidentuar problemet e këtij Kukësi, mjafton të shohësh ndeshjet në të cilat Longo bëri eksperimente për shkak të mungesës së alternativave që pati në dispozicion. Duket se në tërësi repartet janë të kompletuara, përveç atij të mbrojtjes.

Më saktësisht, një qendërmbrojtës dhe një mbrojtës i djathtë. Në qendër, krah Lulajt është preferuar një mesfushor si Hila, i cili edhe pse ka bërë mirë, nuk e ka rolin e tij natyral dhe është përdorur për arsye emergjence.

Në ndeshjet e fundit italiani preferoi aty edhe Kristi Markun, por gjithsesi të gjitha gjasat janë që të hyhet në merkato për një lojtar që të mbulojë mirë këtë rol. Një problem është edhe krahu i djathtë, që Longo më së shumti e ka mbuluar me lojtarë të rinj, siç është rasti i Peposhit, Domit apo Dragoshit.

Futbollistët janë alternuar shpesh me njëri-tjetrin, për vetë faktin se italiani nuk ka qenë i bindur për asnjërin prej tyre në masën 100 për qind. Për këtë arsye, Longo është duke kërkuar një lojtar me eksperiencë, të cilin ta ketë titullar fiks dhe të mos mendojë pas çdo ndeshjeje se cilin të aktivizojë.

PISTAT – Dihet që merkatoja e janarit nuk të ofron shumë mundësi, pasi lojtarët cilësorë janë nëpër ekipet e tyre dhe nuk është e lehtë t’i afrosh.

Gazeta mëson se për momentin po shihen pista nga jashtë vendit për të afruar futbollistët që kërkohen.

Në “punë” është futur drejtori Pejiç, por edhe vetë trajneri Longo, duke shfrytëzuar edhe njohjet e tyre nga tregu i huaj. Megjithatë, nëse ndonjë lojtar nga kampionati ynë do të jetë i mundshëm, as kjo mundësi nuk përjashtohet.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"