Pejiç firmos në Iran për 230 mijë dollarë në vit

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 3, 2015 | 19:21

Pejiç firmos në Iran për 230 mijë dollarë në vit

pejicGolashënuesi më i mirë i Kukësit dhe kampionatit shqiptar për sezonin 2014-2015, Pero Pejiç, ka zyrtarizuar dje kontratën me klubin iranian, Esteghal Teheran. FIFA ka dhënë më në fund OK-in për transferimin e kroatit nga Kukësi tek iranianët, pas telasheve që iu hapën lojtarit në lidhje me klauzolën e lirimit nga klubi verior. Drejtuesit e Kukësit i kishin dhënë lejen e kalimit lojtarit, duke shkruar në certifikatën e transferimit se mund të firmosë vetëm për një klub jashtë Shqipërisë, mirëpo kjo klauzolë nuk u miratua nga FIFA.

Gjithsesi, çështja u zgjidh në limitin e merkatos së shtetit aziatik dhe dje Pejiç firmosi zyrtarisht, duke u federuar si lojtar i Esteghalit në federatën vendëse. Burime të “Panorama Sport” pranë lojtarit treguan se kroati do të përfitojë 230 mijë dollarë neto nga kontrata 1-vjeçare me iranianët. Ndërkohë, pas prezantimit në skuadrën e re, Pejiç foli për mediat vendëse, duke u shprehur i lumtur për këtë hap në karrierën e tij.

“Kam pritur OK-in nga FIFA për transferimin në Iran dhe më në fund firmosa. Jam i lumtur që do të luaj për Esteghal, pasi di që është një klub shumë i madh këtu në Iran. Shpresoj që të jem i suksesshëm këtu, ashtu si në Shqipëri, ku mbylla një sezon me shumë gola. Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në Teheran, kam vënë re se Esteghal ka një tifozëri të çmendur dhe interesimi është shumë i madh për klubin. Oferta që më bëri Esteghal ishte e parefuzueshme dhe besoj se do ta justifikoj me lojën dhe golat që do të shënoj”, ka thënë sulmuesi Pejiç.






www.minuta90.com