Pejiç dhe Di Late bëhen “ultras” blu dhe ankohen për gjykimin, tifozët e Tiranës kapen me Ismajlgecin. Ja pikantet e derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 21:24

Pejiç dhe Di Late bëhen “ultras” blu dhe ankohen për gjykimin, tifozët e Tiranës kapen me Ismajlgecin. Ja pikantet e derbit

Derbi Dinamo-Tirana, i luajtur në temper atura të ulëta, disa gradë nën zero, është ndjekur nga një numër i paktë tifozësh, por nuk kanë munguar episodet, kur ultrasit e dy skuadrave janë kapur me lojtarët kundërshtarë, por edhe me të tyret, si në rastin e Ismajlgecit.

Tirana

-Në tribunë ndërkohë ra në sy dyshja e stafit të Kukësit, Pero Pejiç, dhe Di Late, të cilët kanë mbajtur më shumë shënime se askush tjetër. Ata kanë bërë tifo për Dinamon në këtë ndeshje, pasi u interesonte humbja e Tiranës.

-Lojtarët e dy skuadrave, për shkak të temperaturave të ulëta, kanë dalë në fushë me fanella me mëngë të gjata poshtë asaj zyrtare. Disa kishin veshur edhe streçe. Përjashtim bënte vetëm kapiteni i Dinamos, Agim Ibraimi, i cili luajti vetëm me fanellën me mëngë të shkurtra.

-Kanë munguar në tribunën VIP të “Air Albania” presidentët e dy skuadrave, Refik Halili i Tiranës dhe Adrian Bardhi i Dinamos.

-Në minutën e 24-t, pas një përplasjeje kokë më kokë me një lojtar të Tiranës, Imami është çarë në kokë dhe është mjekuar dy herë, pasi herën e parë fashimi nuk ishte bërë si duhet.

-Në mesin e pjesës së parë, Toli dhe Hoxhallari kanë marrë të dy karton të verdhë për dy ndërhyrje të ashpra në pak sekonda brenda të njëjtit aksion.

-Në tribunën e gazetarëve ishin ulur dy pjesëtarët e stafit të Kukësit, Pero Pejiç dhe Di Late. Ky i fundit është parë gjithë kohën duke mbajtur shënime, pasi kundërshtari i radhës për Kukësin është Tirana. Pejiç dhe Di Late komunikonin gjithë kohën në anglisht, por kuptohej lehtë se ata bënin tifo për Dinamon në këtë sfidë, duke komentuar dhe shprehur pakënaqësinë për çdo gabim të skuadrës së Shkëmbit.

-Dy drejtuesit e Kukësit i mërziti edhe gjyqtari kryesor Eldorjan Hamiti, i cili nuk dha karton të verdhë për Seferin në një ndërhyrje të tij nga prapa, çka do ta skualifikonte sulmuesin për ndeshjen e radhës. Po ashtu, ata kërkuan një karton të dytë të verdhë për Hoxhallarin, i cili ndërhyri me taka në një moment. Di Late madje u shpreh se duhej ndërhyrja e VAR-it.

-Agim Ibraimi nuk kishte shiritin e kapitenit në krah në fillim të pjesës së dytë. Pas pak minutash atij iu dha shiriti nga stoli dinamovit.

-Tifozët e Tiranës janë kapur një moment me mbrojtësin Ismajlgeci, i cili bëri një gabim në lojë. Lojtari ka reaguar, duke irrituar tifozët. Ka ndërhyrë Toshevski për të qetësuar tifozët bardheblu, ndërsa trajneri Shehi e ndërroi mbrojtësin e majtë pas disa minutash.

-Tifozët e Dinamos janë kapur me Taulant Seferin, të cilin e kanë sharë në kor disa herë. Kjo solli edhe reagimin e disa tifozëve të Tiranës, të cilët iu afruan sektorit ku qëndronin tifozët blu, duke rrezikuar edhe një përplasje fizike, që u shmang nga stjuardët.

-Në “Air Albania” ishte i pranishëm edhe Elis Bakaj, ish-lojtar i Dinamos dhe Tiranës. Ai shoqërohej nga kushëriri i tij, Edvan Bakaj, që këtë herë ishte jashtë 18-shes.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"