“Pazar” te Partizani, Besa blindon mbrojtjen/ Kavajasit marrin në formë huazimi futbollistin 21-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2021 | 8:33

“Pazar” te Partizani, Besa blindon mbrojtjen/ Kavajasit marrin në formë huazimi futbollistin 21-vjeçar

P asi shtoi fuqinë e golave, tani Besa mbyll “hesapet” edhe me prapavijën. Pas afrimit të Emiliano Çelës nga Kastrioti, një tjetër lojtar vjen nga Kategoria Superiore. Dje ka dalë në stërvitje një tjetër qendërmbrojtës. Këtë herë bëhet fjalë për një lojtar të ri në moshë, që vjen në formë huazimi.

aaa-1024x578

Klubi ka mbyllur zyrtarisht marrëveshjen me Partizanin për shërbimet e Agim Dajçit, i cili sezonin 2021-2022 do të mbrojë ngjyrat e verdhezinjve. Të kuqtë kanë menduar këtë zgjidhje për 21-vjeçarin, derisa te skuadra e Ilir Dajës nuk do të kishte hapësirat e dëshiruara. Ai është një element me të ardhme, ndaj “demat” duan që ai të ketë minuta në këmbë. Kujtojmë se nga janari i 2021-shit, mbrojtësi u aktivizua te Bylisi (po në formë huazimi).

Agim Dajci

Gjithë fazën përgatitore të verës e zhvilloi me kryeqytetasit, madje edhe u federua për Kupat e Europës. Me këtë afrim, Besa ka kompletuar prapavijën dhe shton alternativa cilësore në stol. Janë disa futbollistë të gatshëm për trajnerin Ndriçim Kashami, çka i japin qetësi. Pa llogaritur dy portierët Dobjani e Birja, në defensivë janë në dispozicion emra si Kukaj, Çela, Perja, N.Hoxha, Zeqiri, Zekolli, pa folur për lojtarët e rinj.

Në prapavijë shpesh është përdorur edhe kapiteni Muçaj, ndaj pritet që ky repart të jetë një “blind” i vërtetë dhe vështirë se mund të kalohet nga kundërshtarët. E megjithatë, merkatoja nuk mund të quhet ende e mbyllur. Në klub po negociojnë edhe për një afrim të fundit, këtë herë për mesfushën. Besa po planifikon edhe miqësore, por ende nuk ka përcaktuar emrin e kundërshtarit.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"