“Pavarësisht mungesave dhe problemeve, në Pogradec shkojmë për të marrë trepikëshin”, Kanarsa: Koha të tregojmë forcën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 9:38

“Pavarësisht mungesave dhe problemeve, në Pogradec shkojmë për të marrë trepikëshin”, Kanarsa: Koha të tregojmë forcën!

Apolonia luan në Pogradec në këtë fundjavë dhe trajneri Juri Kanarsa për “Panorama Sport” ka deklaruar se fitorja e mesjavës u ka dhënë më shumë besim. Trajneri italian mendon se është momenti që ekipi të tregojë forcën dhe synimi mbetet i njëjtë, marrja e pikëve të plota.

Juriy KANARSA

Sa ju ndihmoi fitorja e mesjavës në atmosferën e grupit tuaj?

Ishte një fitore e merituar, pasi luftuam për suksesin. U arrit me shumë mund, pasi dëshironim sa më parë rikthimin te fitorja. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës që e luajmë në Pogradec.

Sa e përgatitur është Apolonia për këtë transfertë?

Menjëherë pas fitores në mesjavë kemi nisur punën dhe përqendrimi i ekipit në stërvitje ka qenë maksimal. Fokusi ynë është Pogradeci, ku na pret një sfidë delikate. Por, ne do të hyjmë në fushë për të fituar. Kemi disa mungesa për shkak të dëmtimeve dhe problemeve fizike, por titullarët e përzgjedhur do të jenë gati për këtë takim.

Çfarë prisni nga lojtarët ndaj Pogradecit?

Dëshiroj të vazhdojmë me rezultate pozitive dhe të zhvillojmë një ndeshje të mirë. Mendoj është momenti të mos ndalemi, të tregojmë forcën dhe të dalim me pikët e plota nga kjo përballje.

A do të ketë sërish ndryshime në formacion?

Jam ende i pavendosur për formacionin. Në ndeshjen dhe stërvitjen e fundit kam mbajtur disa shënime për lojtarë të caktuar dhe kam besim të plotë tek organika e ekipit, pavarësisht mungesave të rëndësishme. Herë pas here kam aktivizuar lojtarë të rinj, sepse i shoh si të ardhmen e klubit fierak. Besoj shumë te lojtarët e rinj që kam në dispozicion. Ata kanë vetëbesim në ndeshje pavarësisht emrit dhe fushës së kundërshtarit.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"