Pauza për Kombëtaret, Spaleti në ankth para derbit për argjentinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2018 | 13:21

Pauza për Kombëtaret, Spaleti në ankth para derbit për argjentinasit

Gjashtë fitore radhazi mes Serisë A dhe Champions-it. Objektivi për Interin është të përgatisë sa më mirë derbin me Milanin (21 tetor) dhe ndeshjen e Champions-it me Barcelonën më 24 tetor. Luçiano Spaleti ka nisur stërvitjen ditën e djeshme pa 10 lojtarë, të cilët janë të impenjuar me kombëtaret e tyre.

ikardi lautaro

U kthyen përpara kohe për dëmtime D’Ambrozio, Vrsaliko dhe Brozoviç (të cilët do të punojnë të veçuar). Por, trajneri zikaltër pret me ankth dy sulmuesit argjentinas, Mauro Ikardi dhe Lautaro Martinez, të cilët ndodhen në Arabinë Saudite me kombëtaren e Argjentinës. Ata do të luajnë sot ndaj Irakut dhe të martën më 16 tetor kundër Brazilit të Zhoao Mirandës. Tre zikaltrit rikthehen në Itali më 17 tetor dhe stërvitjen e parë me Interin do ta nisin 1 ditë më vonë, vetëm 3 ditë përpara derbit të së dielës në mbrëmje.

E njëjta situatë edhe me Matias Vesinon, ku Uruguai i tij do të luajë kundër Koresë së Jugut nesër dhe me Japoninë më 16 tetor. Europoker- Në Europë kanë mbetur vetëm 4 lojtarë që do të luajnë miqësore dhe Ligë Kombesh: Galjardini me Italinë, Perisiç me Kroacinë dhe dyshja e mbrojtjes Shkrinjar-De Vraj me Sllovakinë dhe Holandën. Spaleti kryqëzon gishtat për këta të fundit që të mos ketë ndonjë dëmtim. Lajmi i mirë vjen nga Afrika, ku ndeshja kualifikuese mes Ganës dhe Sierra Leones do të anulohet dhe Azamoah do të rikthehet më përpara në Milano për të nisur stërvitjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"