“Pauza na ndihmoi, por duhet të nisnim dy javë më parë”, Liçi: Ju tregoj të vetmen gjë që i frikësohet Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2020 | 15:16

“Pauza na ndihmoi, por duhet të nisnim dy javë më parë”, Liçi: Ju tregoj të vetmen gjë që i frikësohet Skënderbeu

Skënderbeu është “i etur” për futboll dhe vendimi i ndaljes së bojkotit i ka kthyer humorin. Të gjithë janë kuriozë që të shohin ekipin e ndërtuar me aq kujdes prej Julian Ahmatajt. Edhe pse në miqësore kanë bindur vazhdimisht, prova e vërtetë për korçarët nis tani. Por duhet thënë që bardhekuqtë e kanë një frikë dhe ajo lidhet me ngjeshjen. Një gjë të tillë e pranon edhe numri dy i stolit, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”.

Lici Skenderbeu

Gentian Liçi mendon se skuadra është vërtet gati, por u trembet pasojave dhe problemeve që do të shfaqen me ndeshjet e shpeshta. “Më në fund mund të luajmë futboll dhe kjo është diçka mjaft pozitive. Besoj se drejtuesit e klubeve kanë arritur atë që për të gjithë ne ishte tepër e rëndësishme. Të them të drejtën, të gjithëve na ka munguar dhe po e presim me padurim që të kthehemi në fushë. Ndërprerja, në njëfarë forme, nga ka favorizuar.

Kemi pasur mundësinë të ndërtojmë ekipin pas largimeve të shumta dhe normalisht që çdo afrim kërkon kohën e vet që të përshtatet. Kemi bërë vërtet një punë të mirë. Për trajnerin Julian Ahmataj ka qenë një punë e madhe. Ia doli më së miri, duke ndërtuar një grup kompetitiv. Shpresojmë që të jemi mirë dhe të përballojmë ngarkesën e javëve. Kjo është e vetmja frikë që ne kemi për momentin. Druhemi vetëm nga fakti se ngarkesa e madhe që mund të ketë, të na krijojë ndonjë problem. E megjithatë, për momentin jemi mirë dhe mezi e presim të nisë zyrtarisht futbolli”, theksoi fillimisht numri dy i stolit.

Skenderbeu Ahmataj

Më tej ai u ndal edhe te forma e lojtarëve në këtë prag fillimi të kampionatit, ndërsa mendon se mirë do të ishte që sezoni të fillonte dy javë më parë. “Të them të drejtën, për mua do të ishte më e favorshme që kampionati të fillonte dy javë më parë. Ka qenë koha kur Skënderbeu arriti formën e vet dhe mbi të gjitha mund të evitonim ngarkesën e ndeshjeve. Gjithsesi, do ta kalojmë me sukses çdo pengesë. Është një moment i mirë për ne dhe le ta shfrytëzojmë në maksimum. Për këtë duhet të bëjmë mirë dhe mendoj se do ta nisim mbarë me Teutën në Durrës”, përfundoi Liçi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"