Pauza e kombëtareve/ Kukësi i përgjysmuar, afrohen katër lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2021 | 11:00

Pauza e kombëtareve/ Kukësi i përgjysmuar, afrohen katër lojtarë

Kukësi ka zbritur në fushë prej dy ditësh pas pushimeve prej pauzës së kampionatit. Trajneri Mirel Josa, edhe pse me një grup të reduktuar futbollistësh, kërkon që të mbajë të karikuar grupin, pasi humbjet e fundit e kanë përkeqësuar situatën në skuadër. Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë dhe vendi i gjashtë në kampionat ia minimizon edhe më tepër shanset skuadrës për të qenë pjesë e Kupave të Europës pas përfundimit të këtij sezoni. Humbja në Ballsh e ka larguar me 11 pikë ekipin verilindor nga vendi i tretë, që të jep automatikisht të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Konferencës, një kompeticion debutues i UEFA-s, që merr jetë në muajin korrik.

KUKESIIII

Pas ndeshjes me Bylisin lojtarët u shpërndanë, ndërsa pesë prej tyre nuk u bashkuan me grupin pas rifillimit të stërvitjes të mërkurën. Bëhet fjalë për kapitenin Agim Ibraimi, mbrojtësit Rolandas Baravikas, Redon Dragoshi dhe Altin Bytyçi, si dhe portierin Angelos Tafas. Tre të fundit janë grumbulluar me Kombëtaren Shpresa të Shqipërisë, teksa nesër do të jenë në fushë me fanellën kuqezi në miqësoren që do të zhvillohet ndaj Tiranës. Nga ana tjetër, Ibraimi është rikthyer të luajë për Maqedoninë e Veriut, ndërsa Baravikas u grumbullua nga Lituania. Mbrojtësi i djathtë nuk u aktivizua në miqësoren që Kombëtarja e tij zhvilloi me Kosovën të mërkurën në mbrëmje.

Ndërkohë, dje me përjashtim të lojtarëve që janë angazhuar me kombëtaret, pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e plotë. Sipas asaj që njofton edhe vetë klubi në faqen zyrtare në “Facebook”, me grupin është bashkuar edhe Vesel Limaj pas dëmtimit që kishte pësuar para ndeshjes me Bylisin, ku dhe nuk u aktivizua fare. Në seancën e fundit është vënë re edhe prania e pesë lojtarëve që këtë periudhë kanë qenë pjesë e ekipit U-21. Bëhet fjalë për të rinj si Xhoi Hajdëraj, Ardit Ziaj, Herdi Balla dhe Serxho Tabaku, të cilët kanë spikatur në kampionatin e 21-vjeçarëve dhe Josa po i vëzhgon me kujdes. Një prej tyre, pikërisht sulmuesi Ziaji, ka pasur eksperienca edhe në Superiore në vitet e fundit, pikërisht te Luftëtari dhe Flamurtari.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"