Patrik Bardhi humb Tiranën, Kastrioti merr në provë… Sadikun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2021 | 0:21

Patrik Bardhi humb Tiranën, Kastrioti merr në provë… Sadikun

Kastrioti ka pasur shumë lëvizje gjatë ditëve të fundit ku kryesisht janë larguar lojtarë që nuk kanë gjetur shumë hapësira në 13 ndeshjet e para të sezonit. Këto largime, ndonëse nuk është prekur formacioni titullar, kanë lënë boshllëqe në skuadër që duhet me patjetër të zëvendësohen, pavarësisht se tregu është mjaft i varfër.

patrik bardhi

Ditën e djeshme krutanët kanë marrë një lajm të hidhur para ndeshjes me Tiranën, pasi sulmuesi i krahut Patrik Bardhi është dëmtuar sërish dhe do t’i duhen të paktën edhe dy javë të tjera për t’u rikthyer. Ky dëmtim ka ndryshuar të gjitha planet e stafit teknik, i cili do të duhet të gjejë një zëvendësues për këtë 90-minutësh.

Krutanët kanë vuajtur shumë këtë periudhë me dëmtimet, por të paktën ndaj bardhebluve ka pasur dhe rikthime, siç është Okebugu por edhe Rezi që pritet të jenë të gatshëm.

MESFUSHORI – Ditën e djeshme në stërvitje me krutanët është shfaqur një mesfushor shkatërrues, shqiptar por i lindur në Zvicër. Bëhet fjalë, për Gjelbrim Sadiku. Një lojtar i dalë nga akademia e Luzernës, por që nuk ka pasur shumë hapësira dhe në janar të 2019, për shkak të një dëmtimi është lënë i lirë. Sadiku, pas riaftësimit në verën e 2020, firmosi për ZUG, në kategori 3 zvicerane.

gielbrim

Gjatë pjesës së parë të sezonit aktual, Sadiku ka luajtur titullar shumicën e ndeshjeve, madje ka shënuar edhe 1 gol, deri në fund të tetorit, kur përfundoi pjesa e parë e kampionatit në Zvicër. Nga sa mësohet, Sadiku është aktualisht në provë dhe mbetet të shihet nëse do të bindë stafin teknik për firmosur me krutanët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"