Pati oferta, por nuk e la skuadrën, futbollisti i Kastriotit: Të kthehemi në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 23:13

Pati oferta, por nuk e la skuadrën, futbollisti i Kastriotit: Të kthehemi në Superiore

Abaz Karakaçi është një ndër lojtarët më të rëndësishëm të formacionit të Kastriotit. Mesfushori shkodran që ka luajtur me shumë skuadra të tjera në Superiore dhe në Kategorinë e parë, pohon se kishte oferta në merkaton e dimrit, por nuk deshi ta linte përgjysmë misionin me krutanët.

karakaci

“Kemi mbyllur minifazën dhe jemi fokusuar te ndeshja e parë e pjesës së dytë të sezonit, transferta ndaj Tërbunit. Një ndeshje e vështirë, por jemi skuadër e ndërtuar për Superioren dhe jam i bindur se do ta kalojmë me sukses. Për Kastriotin është i rëndësishëm grupi dhe ne vetëm kemi përforcuar kontingjentin e mëparshëm që në 12 javë e çoi skuadrën 7 pikë përpara rivalëve. Kisha oferta, por vendosa të qëndroj në Krujë, pasi dua ta përfundoj misionin që kemi marrë përsipër, rikthimi në elitë. Jemi në rrugën e duhur dhe na duhet që në pjesën e dytë të sezonit të tregohemi të kujdesshëm, të mos përsërisim gabimet e nisjes së kampionatit”, ka theksuar Karakaçi për gazetën.

RIVALËT

Shkodrani ka folur në fund edhe për rivalët dhe formulën e sezonit, duke u dhënë atyre një mesazh të qartë, të mendojnë për vendin e dytë. “Ky sezon ka një mundësi tjetër edhe për ekipet e vendeve të dyta, çka do të thotë se vazhdimi i kampionatit do të jetë i bukur dhe plot rivalitet. Nëse ne jemi shkëputur, kampionati vazhdon dhe ka një tjetër mundësi, si për Besëlidhjen, ashtu edhe për Erzenin, apo Korabin”, ka shtuar Karakaçi.

MERKATO 

Te krutanët, krahas mbrojtësit nigerian Lukman Husein, i cili është i afruar zyrtarisht, pritet të konfirmohen edhe dy lojtarë të tjerë të rinj. Franci Lena dhe Indrit Prodani pritet të zyrtarizohen si pjesë e Kastriotit në vazhdim të këtij kampionati. Janë dy të rinj që i shërbejnë perspektivës së skuadrës dhe duket se e kanë bindur stafin teknik, me në krye trajnerin Ramadan Ndreu. Krutanët, sipas asaj që është thënë nga drejtuesit e klubit, presin gjithashtu edhe nigerianin tjetër, Okebugu.

Bujar Balliu 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"