Patën debat mes tyre, Dushkaj dhe Marantas sqarojnë situatën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 14:09

Patën debat mes tyre, Dushkaj dhe Marantas sqarojnë situatën

Ndeshja e kontrollit me 19- vjeçarët e trajnerit Arbër Bistrit kishte për mision vëzhgimin e kondicionit fizik të lojtarëve të Luftëtarit një javë para ndeshjes decizive ndaj Bylisit kryesues. Jurgen Dushkaj është një nga lojtarët e Luftëtarit, që në këtë test përkohësisht iu desh të linte fushën e lojës për arsye taktike, i kushtëzuar edhe nga dëmtimi në kaviljen e këmbës së djathtë.

jurgen-dushkaj

Për “Panorama Sport”, 24-vjeçari me origjinë nga Shkodra, sqaroi gjithçka që kishte të bënte me vendimin e trajnerit Marantas për të lënë përkohësisht lojën dhe për t’u kthyer në protagonist.

“Kam lënë fushën e lojës përkohësisht për moszbatim të detyrës së dhënë nga trajneri, gjithnjë në planin taktik, asgjë më shumë. Ndaj, nuk bëhet fjalë për plotësim të tekave apo dëshirave të individit, por thjesht për disiplinë taktike në fushë, gjë të cilën trajneri e kërkon si në stërvitje, ndeshje kontrolli, miqësore dhe takim zyrtar. Koha që dola nga fusha më mjaftoi për të mbajtur në akull kaviljen e djathtë, nën mbikëqyrjen e doktorit të ekipit. Vendimi i trajnerit dhe koha për të kaluar dëmtimin më dhanë të drejtë. Më bënë mirë dhe ia dola të shënoja dy gola. Asgjë tjetër s’mund të them më shumë”, u shpreh Dushkaj.

mARANTAS JORGOS

Në të njëjtën linjë me lojtarin është dhe trajneri Jorgos Marantas, i cili për “Panorama Sport” lidhur me çështjen “Dushkaj”, tha: “Unë jam trajner profesionist dhe nga lojtarët kërkoj zbatim të detyrave në fushë. Kur një lojtar del nga detyrat taktike, kjo s’do të thotë se nuk vlen, përkundrazi, kritikat apo vërejtjet i bëjnë mirë. Dushkaj është lojtar profesionist, për vet eksperiencën që ka mbi supe. E la fushën e lojës përkohësisht, mori ndihmën e stafit mjekësor dhe u rikthye në fushë si titullar. Për ju (‘Panorama Sport’) dhe gjithë mediat jam shprehur se çdo ndeshje kërkoj ta fitoj, miqësore apo zyrtare. Ky është mentaliteti im dhe këtë do t’ua kërkoj lojtarëve të Luftëtarit, për aq kohë sa do të jem trajner i kësaj skuadre”, përfundoi Marantas.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"