EKSKLUZIVE/ “Pata një debat”, Mërgjyshi rrëfen shkarkimin e beftë nga Korabi: Rezultatet ishin të mira, më vjen keq që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2022 | 14:29

EKSKLUZIVE/ “Pata një debat”, Mërgjyshi rrëfen shkarkimin e beftë nga Korabi: Rezultatet ishin të mira, më vjen keq që…

Korabi shkarkon Artan Mërgjyshin. I vetmi barazim në shtëpi i ka ngrënë “kokën” trajnerit. Edhe pse skuadra renditet prej javësh të tëra në vend të tretë dhe kishte një ecuri mbresëlënëse në Peshkopi, drejtuesve nuk u ka mjaftuar. Ata nuk e kanë pritur mirë ndalesën me Lushnjën dhe kanë marrë vendimin e prerë për ta larguar nga stoli. Është vetë tekniku që konfirmon lajmin për “Panorama Sport” dhe rrëfen shkaqet.

MERGJYSHI

Pas 12 fitoresh në shtëpi, i pari barazim solli shkarkimin tuaj…

E vërtetë. Jo më larg se dy ditë më parë më komunikuan vendimin. Nuk do të jem unë në krye të pankinës për 5 ndeshjet e mbetura.

I papritur ky vendim?

Të them të drejtën, nuk e prisja, pasi ecuria ishte e mirë. Në ndeshjet e luajtura në shtëpi kishim 12 fitore rresht, por mjaftoi ky barazim dhe ndodhi. E megjithatë, kështu e ka puna jonë. Në futboll, i pari e pëson trajneri (qesh).

Ishte vetëm ky shkaku i shkarkimit apo ka diçka tjetër?

Shkaku ishte barazimi kundër Lushnjës. Drejtuesit kishin të tjera pritshmëri. Donin fitoren dhe ka një lloj logjike, e megjithatë ndonjëherë nuk del ndeshja. Pastaj, pata edhe një debat me administratorin.

Me Fehmi Mëziun?

Po. Por debat në lidhje me ndeshjen.

Me detyrimet kontraktuale si do të veproni?

Nuk kemi probleme të tilla. Nuk më kanë asnjë detyrim deri në këtë pikë të kampionatit. Edhe pse ishte shkarkim, zgjidhja e kontratës erdhi me konsensus.

Ju vjen keq që e lini ekipin tani që po afron fundi?

Patjetër që po, pasi kishim ecuri shumë të mirë deri në këtë pikë të kampionatit. Në pozitat që ekipin e lashë, e ka të sigurt “play off”-in. Edhe pse ngjitja kalon me tri ndeshje të tjera shtesë, ne shansin e kishim.

Çfarë do të bëjë tani Mërgjyshi?

Tani do të pushoj. Gara është drejt fundit dhe logjika të çon që duhet të pres nisjen e sezonit të ri për të vijuar nga puna.

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"