Pastore te Milani, Mirabeli takon agjentin e argjentinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2018 | 10:34

Pastore te Milani, Mirabeli takon agjentin e argjentinasit

Merkato e Milanit cilësohet si e mbyllur me drejtuesit që, sa herë kanë mundësi, theksojnë se në janar nuk do të ketë prurje për të përforcuar organikën nën urdhrat e Xhenaro Gatuzos.

Një fjalë e urtë thotë: “Rasti e bën njeriun hajdut”, ndaj edhe drejtori sportiv mund të shndërrohet në blerës kur i vjen përpara shansi i duhur.

Pastore

Dje në Milano është parë Marselo Simonian, i cili, sipas mediave italiane, ka drekuar me Masimiliano Mirabelin, drejtor sportiv te Milani, teksa në duart e tij kalon çdo kontratë futbollisti që vishet kuqezi.

Duke u rikthyer te Simonian, ai është agjenti i disa futbollistëve argjentinas, ndër të cilët spikat emri i Havier Pastores.

Fantazisti i PSG-së prej javësh kërkon largimin dhe, nëse deri disa ditë më parë për të interesohej Interi, ditën e djeshme u përfol se në valle ka hyrë edhe Milani.

Pastore 10

Ashtu si për zikaltrit, edhe për “Djallin” pengesa, më shumë se sa kartoni i lojtarit (i vlerësuar mes 20-25 milionë eurove) mbetet rroga e tij, e cila është prej nëntë milionë eurosh në sezon.

Nga ana e klubit parisien nuk ka asnjë prononcim dhe deklarata e fundit daton më 15 janar, kur sheiku Al Khelaifi thoshte se Pastore nuk largohet nga Franca për një shumë më të ulët se 60 milionë euro.

Vonesa e 28- vjeçarit, për t’u rikthyer nga pushimet me dy ditë vonesë së bashku me Edinson Kavanin, ka përforcuar bindjen se lojtari nuk është i lumtur në Paris, ndaj Milani do të mundohet të përfitojë nga kjo situatë, ndoshta duke e marrë në huazim Pastoren deri në fund të sezonit.

javier_pastore_julian_draxler_psg_liverpool_gettyimages-835968154

Një tjetër hipotezë që nuk gjen shumë baza, mund të jetë ajo e lidhur me Sebastian Driusin, talenti argjentinas, interesat e të cilit kurohen pikërisht nga Simonian.

21- vjeçari aktualisht luan te Zeniti i Shën Pjetërsburgut dhe ndiqet prej kohësh nga Interi dhe mundësitë që të vishet kuqezi janë të pakta, ndaj emri i Pastores është ai që po nxeh momentalisht merkaton e akullt të Milanit këtë janar.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"